Kështu duket bulevardi “Ilinden” në Tetovë në kryqëzim me bulevardin “Video Smilevski Bato”, i zhytur në errësirë të plotë. Në këtë pjesë kalojnë çdo ditë me mijëra nxënës që ndjekin mësimet në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, shkollën e mesme “Mosha Pijade”, si dhe studentë të dy universiteteve — Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore. Errësira shtrihet gjithashtu edhe në Rrugën Industriale deri te rrethrrotullimi tek shkolla tekstile.
Kalimtarët dhe banorët e kësaj zone thonë se ndihen të rrezikuar në çdo hap, pasi mungesa e dritave rrugore rrit rrezikun e aksidenteve. Sipas tyre, ky problem vazhdon me vite; ndriçimi rregullohet herë pas herë, por pas pak ditësh sërish ndalet dhe mbetet jashtë funksionit.
Përballë këtyre ankesave dhe reagimeve të shumta për gjendjen në Rrugën Industriale, Komuna e Tetovës ka dalë me një sqarim zyrtar, duke e lidhur problemin me sistemin e matjes dhe kontrollit të konsumit të energjisë elektrike.
“Në këtë rajon është i instaluar një sistem matës i cili monitoron konsumin e energjisë elektrike. Në rastet kur konsumi tejkalon kapacitetin e përcaktuar, aktivizohet siguresa automatike, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe, si pasojë, mbetjen e zonës pa ndriçim publik. Me këtë rast, apelojmë te të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë në përdorimin racional të ndriçimit publik, duke shmangur keqpërdorimet dhe ngarkesat e panevojshme të sistemit elektrik. .Njëkohësisht, theksojmë se problemi është evidentuar dhe do të punohet në drejtim të identifikimit të zgjidhjes përkatëse teknike, me qëllim që ndërprerjet e tilla të mos përsëriten dhe qytetarëve t’u sigurohet ndriçim publik i vazhdueshëm dhe funksional”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Ky arsyetim paradoksal i komunës, e cila kërkon nga qytetarët “përdorim racional” të dritave të rrugës dhe flet për kufizime të kapacitetit, vjen në një kohë kur tetovarët paguajnë rregullisht 184 denar në muaj taksë të detyrueshme për ndriçimin publik në faturat e tyre të rrymës një pagesë që nuk njeh asnjë kufizim. Komuna e Tetovës, në vitin 2023, ia ka dhënë menaxhimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik një kompanie private përmes modelit të Partneritetit Publiko-Privat. Një kontratë miliona euroshe që, në letër, duhej të garantonte modernizim dhe funksionim të pandërprerë të rrjetit në të gjithë qytetin, e jo kthim prapa me arsyetime teknike që lënë qytetarët në errësirë.
Burimi:TV21
