Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në bregdetin e West Sussex, në jug të Anglisë, ku tre anëtarë të së njëjtës familje kanë humbur jetën pasi u futën në det për të shpëtuar vajzën e vogël.
Ngjarja ndodhi pranë Shoreham Fort, afër Brighton, pasditen e së martës. Sipas raportimeve të mediave britanike, familja kishte hyrë në ujë për të notuar, kur vajza më e vogël besohet se ka mbetur e kapur në një rrjetë peshkimi.
Prindërit dhe vajza e tyre adoleshente janë futur në ujë në përpjekje për ta shpëtuar, por rrymat e forta i kanë tërhequr larg bregut. Të tre humbën jetën, ndërsa vajza e vogël u nxor nga uji dhe u transportua në spital në gjendje kritike.
Në vendngjarje u mobilizua një operacion i madh shpëtimi, me rojet bregdetare, anije të RNLI-së, ambulanca dhe helikopterë. Katër personat u nxorën nga deti, por përpjekjet e ekipeve mjekësore për të rikthyer në jetë tre prej tyre rezultuan të pasuksesshme.
Policia e Sussex ka konfirmuar se viktimat janë një burrë, një grua dhe një vajzë adoleshente nga e njëjta familje. Vajza tjetër vijon të marrë trajtim në spital. Autoritetet nuk po kërkojnë persona të tjerë në det, pasi besohet se të katër kishin hyrë në ujë së bashku.
Në momentin e tragjedisë, deti ishte i trazuar dhe kishte erëra të forta, çka e vështirësoi ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit. Policia britanike ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas dëshmive të mbledhura nga mediat britanike, disa peshkatarë kanë parë personat në vështirësi dhe kanë dhënë alarmin, duke bërë të mundur nisjen e menjëhershme të operacionit të shpëtimit.
