Tragjedi në brigjet e Senegalit, mbytet varka me emigrantë, të paktën 21 viktima

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë u përmbys në brigjet e Senegalit. Autoritetet kanë konfirmuar viktimat, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e personave të tjerë.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme të Senegalit, të publikuar të dielën, varka e njohur si pirogë hasi vështirësi në zonën e Kébémerit, në veriperëndim të vendit.

Deri më tani, ekipet e shpëtimit kanë gjetur vetëm një person të mbijetuar, ndërsa kërkimet në det vijojnë.

Në reagimin zyrtar, qeveria senegaleze shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe nderoi kujtimin e personave që humbën jetën në këtë tragjedi.

Gjithashtu, autoritetet riafirmuan angazhimin për të luftuar rrjetet e trafikimit dhe kontrabandës së emigrantëve, duke theksuar se do të bashkëpunojnë edhe me vendet fqinje për të parandaluar ngjarje të tilla.

Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se rruga e Atlantikut mbetet një nga itineraret më të rrezikshme për emigrantët nga Afrika Perëndimore që synojnë të mbërrijnë në Evropë.

Sipas organizatës, shtimi i kontrolleve në pikat tradicionale të nisjes në Senegal, Marok dhe Mauritani ka bërë që gjithnjë e më shumë emigrantë të kërkojnë rrugë alternative, përfshirë nisjen nga vende më në jug, si Gambia.

Këto itinerare mund të zgjasin udhëtimin detar deri në rreth 2 200 kilometra, duke i ekspozuar emigrantët ndaj qëndrimeve më të gjata në det, kushteve të vështira atmosferike dhe rrezikut të mbytjes, dehidratimit apo zhdukjes.

Tragjedia e fundit rikthen në vëmendje rreziqet e mëdha me të cilat përballen emigrantët që tentojnë të kalojnë Oqeanin Atlantik drejt Evropës.