Ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi është thirrur sonte në stacion policor për t’u marrë në pyetje lidhur me zjarrin e mbrëmshëm në një lokal nate në Koçan. Këtë e kanë konfirmuar nga MPB.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski paraprakisht informoi se MPB-ja në koordinim me Prokurorinë Publike deri më tani ka dyshuar për më shumë se 20 persona lidhur me këtë ngjarje, prej të cilëve 15 janë në mbajtje policore.
Disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje tragjike kanë vdekur, disa ndodhen në spital.
– Disa nga personat e ndaluar që ndodhen aktualisht në komisariat janë persona që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për këtë ngjarje, sipas provave të grumbulluara deri më tani. Është ndaluar një person, i cili është organizatori i ngjarjes dhe për të cilin dyshojmë se është një nga përgjegjësit direkt. Të arrestuar janë edhe një ish-sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë, një ish-shef sektori në Ministrinë e Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe tre punonjës në këtë drejtori – tha Toshkovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot në një konferencë për media informoi se menjëherë janë ndërmarrë hapat e parë për t’u përballur me pasojat, ndërsa aktualisht ka informacione se objekti ku ka ndodhur aksidenti është me leje të falsifikuar, e cila është lëshuar në mars të vitit 2024 për ryshfet. Është një dokument, tha Mickoski, për funksionimin e një kabareje, e cila është lëshuar ilegalisht, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimin e zyrtarëve të atëhershëm të po kësaj ministrie. Sipas tij, këtu ka shumë pyetje që hetimi do t’i përgjigjet.