“Tri dilema rreth rikthimit të Viniciusit dhe një ‘kritikë’ për Mourinhon”

Real Madridi po kalon një periudhë fantastike nën drejtimin e Jose Mourinhos. Tetë fitore radhazi në La Liga dhe Ligën e Kampionëve kanë dëshmuar se madrilenët janë pretendentë seriozë për të gjithë trofetë këtë sezon.

Fitorja e fundit erdhi në “Mestalla”, ku “Los Blancos” triumfuan 3-0 ndaj Valencias, duke e përforcuar atmosferën pozitive që po mbizotëron në klub.

Sipas gazetarit Roberto Morales nga agjencia spanjolle e lajmeve “EFE”, Real Madridi ka shfaqur një unitet të madh si skuadër dhe përmirësim të dukshëm në aspektin individual të futbollistëve.

Në kanalin e tij në “YouTube”, Morales vlerësoi se madrilenët tashmë janë në garë për çdo trofe.

“Kjo skuadër tashmë synon gjithçka, La Ligën, Ligën e Kampionëve dhe të gjitha garat e tjera, sepse po tregon vazhdimësi dhe forcë në paraqitjen e saj si ekip, si dhe zhvillim të lojtarëve në aspektin individual”, deklaroi ai.

Megjithatë, gazetari spanjoll beson se Jose Mourinho përballet me një sfidë të madhe: si ta rikthejë Vinicius Junior në sistemin që trajneri portugez ka ndërtuar gjatë javëve të fundit.

Sipas Morales, rikthimi i brazilianit ngre tri dilema kryesore: A do të arrijë skuadra t’i ruajë paraqitjet dhe rezultatet e njëjta? A do të vazhdojë të ketë të njëjtin shpirt kolektiv dhe angazhim në fazën defensive? Dhe, mbi të gjitha, a do të ruhet ekuilibri taktik i ekipit?

“Besoj se e vetmja gjë që i mungon kësaj skuadre dhe sfida më e madhe me të cilën përballet Mourinho aktualisht është gjetja e një vendi në këtë paraqitje të veçantë kolektive për elementin që ende nuk funksionon siç duhet: Viniciusin”, u shpreh Morales.

Ai shtoi se prania e brazilianit nuk duhet të ndikojë në frymën kolektive dhe cilësinë e lojës së skuadrës.

“Me Viniciusin në fushë, skuadra duhet ta ruajë të njëjtin shpirt kolektiv, të luajë me të njëjtën cilësi dhe të vazhdojë të punojë në të njëjtën mënyrë gjatë ndeshjeve”, theksoi gazetari.

Morales shtoi se mbetet të shihet nëse Mourinho do të arrijë ta ruajë të njëjtin nivel konkurrues, solidaritetin mes lojtarëve dhe ekuilibrin taktik pas rikthimit të sulmuesit brazilian.

Real Madridi mori vlerësime të shumta për paraqitjen serioze ndaj Valencias, ndeshje në të cilën mungoi Vinicius Junior. Braziliani ishte i pezulluar në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, pas kartonit të kuq të marrë ndaj Villarrealit.

Rikthimi i tij në planet e Mourinhos pritet të ndodhë të shtunën, më 21 nëntor, kur Real Madridi do të përballet me Celta Vigon në “Santiago Bernabeu”.

Ndërkohë, Morales dha një vlerësim pozitiv edhe për katër muajt e parë të Mourinhos në krye të skuadrës.

Ai lavdëroi mënyrën se si trajneri portugez po e menaxhon ekipin, megjithëse kishte një rezervë lidhur me vonesën e tij për të bërë zëvendësime në ndeshjen ndaj Valencias.

“E vetmja gjë që më habit është vonesa e Mourinhos në bërjen e ndryshimeve. Mendoj se aktivizimi i Tiagos apo Esperit në minutën e 91-të ishte i panevojshëm, sepse në një ndeshje që praktikisht ishte e përfunduar me rezultatin 3-0, ai mund t’i kishte inkuadruar shumë më herët”, deklaroi Morales.

Sipas tij, futbollistët e rinj meritojnë më shumë minuta, sidomos në ndeshjet kur rezultati është i sigurt, në mënyrë që lojtarët kryesorë të kenë mundësi të pushojnë.

Megjithatë, kjo ishte e vetmja vërejtje e gazetarit spanjoll, i cili nuk kurseu lavdërimet për Mourinhon.

“Nuk mund t’i bëhet asnjë kritikë. E vërteta është se mënyra se si Mourinho po e menaxhon Real Madridin është shembullore”, përfundoi ai.

Burimi: botasot.info