Rexhep Ismaili, një biznesmen i njohur në qytetin e Sarandës për tregtimin e karburanteve, është ekzekutuar me armë zjarri pak momente më parë në qytetin bregdetar. Ai është qëlluar me plumb në kokë dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Shërbime të shumta të Komisariatit të Policisë së Sarandës, disa njësi të Forcave “Shqiponja” dhe prokurori i gatshëm kanë mbërritur në vendngjarje dhe menjëherë është urdhëruar ngritja e postblloqeve për të arritur tek autori/ët.
Rexhep Ismaili ishte 66 vjeç dhe nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë konflikt të çastit apo ekzekutimi i tij me plumb në kokë ka ardhur si pasojë e ngjarjeve të vjetra, ku biznesmeni që zotëronte një pikë karburanti në qytet u qëllua për vdekje.
Newsbomb.al ka siguruar një fotografi të viktimës, ndërsa ekzekutimi makabër i tij ka tronditur qytetin e Sarandës, i cili tashmë është futur zyrtarisht në sezonin veror dhe mirëpret pushues dhe turistë të shumtë.
Mësohet se Rexhep Ismaili me origjinë është çam dhe gjashtë vite më parë, në 2020, është zgjedhur kryetar i Degës së Patriotike Atdhetare “Çamëria”, në Sarandë. Ai gëzonte respekt në qytetin bregdetar dhe motivet e vrasjes mbeten mister.
