GazetaMax
LAJME

Tuntev: Fluturimi me aeroplan po bëhet gjithnjë e më i sigurt

Shkup, 16 shtator – Fluturimi me aeroplan bëhet më i sigurt çdo vit që kalon. Kjo, siç tha drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil, Tomisllav Tuntev, mund të nxirret nga të dhënat statistikore vjetore të publikuara nga organizatat dhe shoqatat përkatëse ndërkombëtare në fushën e trafikut ajror dhe transportit.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO – International Civil Aviation Organization) publikoi së fundmi raportin e saj të ri mbi sigurinë e trafikut ajror në një kuadër global. Sipas të dhënave në raport, industria e aviacionit në vitin 2021 shënon një rënie të numrit të aksidenteve me avion me 9.8 për qind krahasuar me vitin 2020, dhe numri i viktimave është 66 për qind më i ulët në bazë vjetore.

“Zvogëlimi i këtyre shifrave bëhet edhe më i rëndësishëm, duke marrë parasysh faktin se numri i përgjithshëm i fluturimeve komerciale të pasagjerëve globalisht në vitin 2021 ka një rritje prej 11 për qind krahasuar me vitin 2020. Përmirësime të tilla të rëndësishme në sigurinë e aviacionit janë rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, aktivitetet dhe arritjet që janë realizuar nga të gjitha subjektet në industrinë e aviacionit”, thotë Tuntev, në lidhje me sigurinë e trafikut ajror.

Ai thekson në rishikimin se një studim i kryer në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets në SHBA në vitin 2020 tregon përmirësim dhe avancim të konsiderueshëm të sigurisë së pasagjerëve midis transportuesve ajrorë gjatë dekadave të fundit. Në periudhën 2008-2017, numri i vdekjeve të pasagjerëve është dukshëm më i ulët në krahasim me dekadën e mëparshme. Përkatësisht, gjatë asaj periudhe, shkalla e vdekjeve në mesin e transportuesve ajrorë në nivel global është një jetë e humbur për 7.9 milionë pasagjerë që janë transportuar me avion, krahasuar me të njëjtën normë në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2007, kur arriti në një vdekje për 2.7 milionë udhtarë ajror.

Nëse kthehemi pas në kohë, tendenca bëhet edhe më e qartë: në periudhën 1988-1997 u regjistrua një përqindje prej një viktimë për 1.3 milion, nga viti 1978 deri në 1987 një viktimë për 750 mijë, dhe në periudhën ndërmjet viteve 1968 dhe 1977, një viktimë për 350,000 udhëtarë të transportuar.

Nëse të dhënat nga studimi analizohen më në detaje, thekson Tuntev, mund të vërehen disa “ndryshime gjeografike”, që do të thotë se shkalla e vdekshmërisë ndryshon në varësi të pozicionit gjeografik të shteteve.

“Vendet në të cilat pasagjerët mund të përdorin shërbimet e transportuesve ajrorë me rrezikun më të ulët janë vendet në Evropë, SHBA, Kinë, Japoni, Kanada, Australi, Zelandë e Re dhe Izrael. Në këto vende, shkalla e vdekjeve në periudhën 2008-2017 është një viktimë njerëzore për 33.1 milionë pasagjerë në trafikun ajror, që është 4 herë më e ulët se mesatarja globale. Nga ana tjetër, linjat ajrore me rrezik më të lartë vijnë nga vendet në zhvillim, kryesisht nga Azia, Afrika dhe Amerika e Jugut. Në këto zona gjeografike, shkalla e vdekjeve në dekadën e fundit është gjashtë herë e gjysmë më e lartë se norma mesatare në nivel global dhe arrin në një viktimë për 1.2 milionë udhëtarë. Megjithatë, një përmirësim i dukshëm i kulturës së sigurisë në trafikun ajror është vërejtur edhe në këto fusha, duke pasur parasysh faktin se në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2007 shkalla e vdekjes ishte një viktimë për 400,000 udhëtarë ajror”, thuhet ndër të tjera në rishikim.

Related posts

Vuçiq mundohet të viktimizohet: Po përpiqen të na fusin në kurth, është aksion i koordinuar i Prishtinës, Zagrebit e Sarajevës

e-max

Takim lamtumirës Osmani-Brnz

e-max

Shaqiri: Rritja e pagës prej 15% për mësimdhënësit fillon nga shtatori

e-max