Tuesday, April 14, 2026

Lajmi në kohë reale

U ekzekutua me breshëri plumbash pas kthimit nga Spanja, zbardhet edhe vrasja e Bledar Birçajt

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur vrasjen e Bledar Birçajt, të ndodhur në maj të vitit 2021 në Vlorë. 40-vjeçari u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar teksa udhëtonte me automjetin e tij tip BMW X5 në zonën e njohur si “Bishti i Kalldrëmit”.

Sipas hetimeve, ndaj automjetit të tij u qëllua më shumë se 30 herë, ndërsa 7 plumba i morën jetën. Në momentin e atentatit, Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja. Në atë kohë, pista kryesore e hetimeve lidhej me përplasjet mes grupeve kriminale për trafik droge.

Nga të dhënat e hetimit rezulton se Birçaj po lëvizte me makinën e tij kur dy persona dolën nga një automjet tip Mercedes-Benz dhe hapën zjarr në drejtim të tij. Pas sulmit, njëri prej autorëve dyshohet se hodhi në tokë edhe armën automatike tip Kallashnikov para se të largohej nga vendi i ngjarjes. Birçaj u transportua në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Emri i tij nuk ishte i panjohur për policinë. Në vitin 2011 ai është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke u lënë në atë kohë në masën e arrestit me burg për 45 ditë. Birçaj njihej gjithashtu si pronar i një lokali në qytetin bregdetar.

Një tjetër incident ku ai ka qenë i përfshirë daton në vitin 2010, kur së bashku me vëllanë e tij dyshohet se kanë dhunuar një jurist të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me inicialet F.H. Për këtë rast, prokuroria nisi procedim penal ndaj tyre në gjendje të lirë.

Zbardhja e kësaj ngjarjeje erdhi pas operacionit të zhvilluar sot në Vlorë nga RENEA dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Në kuadër të këtij aksioni, SPAK ka lëshuar 8 urdhër-arreste, mes tyre edhe për dy ish-efektivë policie si dhe për dy persona të njohur të botës së krimit në qytet.

Burime bëjnë me dije se urdhër-arrestet janë lëshuar edhe për Inez Hajrulla, i njohur ndryshe si “Kakaçi”, dhe Ervis Matodashaj, i njohur si “Çoke Qorri”. Të dy kanë qenë në fokus të operacionit, por deri më tani nuk janë arrestuar.

Ka dyshime se aksioni mund të jetë dekonspiruar, pasi dy personat në fjalë dyshohet se kanë pasur informacion paraprak dhe janë larguar para ndërhyrjes së forcave të rendit.

Latest Posts

Mos e humb lajmin