GazetaMax
Lajme

Udhëtimi i prejardhjes nëpër Ballkan

Elita Qorraj (Demiri) është nga Gostivari. Ajo jeton prej vitesh në Australi, vend ku është martuar dhe tashmë është bërë nënë. Në kërkim të rrënjëve të saj dhe të familjes se nga e kanë prejardhjen, Elita në një bisedë me ne thekson se familjarisht kanë zbuluar që kanë lidhje me Aigai në Greqi – një nga qytetet më të rëndësishme të lashtësisë, i njohur si kryeqyteti i parë i Maqedonisë (Greqia Veriore) ku janë zbuluar varret mbretërore të dinastisë së Filipit II dhe Aleksandrit të Madh.

“Gjithmonë e kam ndjerë që historia jonë familjare fshihej shumë më thellë se sa tregimet që qarkullonin në familje. Pasi mora rezultatet e testit ndjeva një emocion të veçantë – ishte sikur një pjesë e identitetit tonë të dilte nga errësira,” tregon Elita Qorraj (Demiri).

Markerët Y-STR të babait të saj u krahasuan me një profil referencë të përgjithshëm të haplogrupit E1b1b1a1b2a – i vetmi linjë Y-DNA e identifikueshme që është gjetur në Varret Mbretërore të Aigait (konkretisht DEM3245 – Varrin I). Sipas Elitës, kjo ishte pika e parë që tregoi një lidhje të mundshme farefisnore me banorët e lashtë të rajonit.

Ajo sqaron:

“Haplogrupi i babait tim (E-Z16988, një degë e E-V13) dhe individi elitar i varrosur në Aigai me E-CTS11457 ndajnë një paraardhës të përbashkët nga linja mashkullore, por janë ndarë shumë kohë përpara vitit 400 p.e.s ndoshta mbi 2.000 vjet më herët.”

Më tej, Elita Qorraj (Demiri) jep sqarime të detajuara për këtë lidhje që shtrihet në një hark kohor prej mbi dy mijë vjetësh. Ajo ka ndërtuar edhe një hartë të rrugës migratore të haplogrupit të babait të saj ku shihet se si kjo linjë e lashtë ballkanike është degëzuar:

Këtu është harta që tregon migrimin dhe ndarjen e haplogrupit E-Z16988 dhe marrëdhënien e tij me:
•Individin e Varrit Mbretëror në Aigai DEM3245 (400 p.e.s.)
•Haplogrupin paraardhës E-CTS9320 (1250 p.e.s.) i lidhur gjithashtu me rajonin e Viminaciumit (Moesia Superior)

“Është interesante sepse kjo linjë gjenetike nuk është e zakonshme midis elitës maqedonase e cila zakonisht përfaqësohet nga haplogrupi R1b. Prania e E-V13 në këtë varr mund të sugjerojë origjinë nga Ballkani jugor ose ndikime ilire, paeoniane apo trakase që u përfshinë në shoqërinë maqedonase,” shpjegon Elita Qorraj (Demiri).

Identiteti i individit të varrosur në Varrin DEM3245 në Aigai (Vergina e sotme, Greqi) nuk është i konfirmuar me emër por sipas historianëve dhe arkeologëve, besohet se mund të ketë qenë:
•Një oficer i lartë ose fisnik nën Filipin II
•Një anëtar i familjes së gjerë mbretërore ose një shoqërues i mbretit
Sipas analizave gjenetike, linja atërore e babait të saj (E-Z16988) dhe linja e individit DEM3245 zbresin që të dyja nga një degë më e vjetër (E-CTS9320) e cila me shumë gjasë është formuar në Ballkanin qendror ose perëndimor. Ndarja midis dy linjave ndodhi rreth 1.500 deri në 2.000 vjet përpara vitit 400 p.e.s. çka do të thotë se paraardhësi i përbashkët i familjes së Elitës dhe i këtij individi mund të ketë jetuar në epokën e bronzit ose më herët, si pjesë e popullsive të lashta ballkanike.

Në fund të bisedës, Elita Qorraj (Demiri) thekson se ky zbulim nuk është thjesht një fakt i thatë gjenetik por një rrëfim i gjallë që i ka dhënë formë ndjesisë së përkatësisë. Ajo përmend edhe një detaj tjetër domethënës – që paraardhësi më i afërt i njohur nga epoka mesjetare prehet në Apoloni, mes gurëve që kanë parë perandori të lindin e të bien.

“Kur kupton se origjina jote endet nëpër shekuj nga brigjet e Aigait deri te heshtja e Apolonisë ndjen se je një fije e vogël në një tapet të madh historie. Nuk je më vetëm një vëzhguese e së shkuarës – je një trashëgimtare e heshtur e kujtesës së saj”.

Related posts

Kompanitë kërkojnë thjeshtësim të procesit për vendosjen e fotovoltaikëve

Gazeta Max

Shaqiri: Për dhjetë ditë MASH do të ketë qëndrim nëse do të zhvendoset fillimi i vitit shkollor

Gazeta Max

LSDM: Në kohë krize po rriten rrogat

Gazeta Max