Vajza e Enver Malokut: Vrasja e një gazetari nuk skadon, Maloku e Mustafa nuk janë temë e së kaluarës.

Doruntinë Maloku, e bija e gazetarit dhe veprimtarit të LDK-së Enver Maloku, ka reaguar ashpër ndaj disa gazetarëve që, sipas saj, vrasjet e Enver Malokut dhe Xhemail Mustafës i trajtojnë si çështje të tejkaluara.

Reagimi i saj vjen një ditë pas 26-vjetorit të vrasjes së Xhemail Mustafës, publicistit dhe këshilltarit të presidentit Ibrahim Rugova, i cili u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë.

“Është e dhimbshme dhe e papranueshme kur pikërisht gazetarë, të cilët vetë kanë përjetuar sulme për shkak të fjalës së lirë, i trajtojnë si çështje të tejkaluara vrasjet e gazetarëve dhe veprimtarëve të LDK-së, Enver Malokut e Xhemail Mustafës”, ka shkruar Maloku në Facebook.

Sipas saj, as Maloku e as Mustafa nuk do të kishin dashur ta hiqnin petkun e gazetarit për t’u bërë veprimtarë politikë. “Por, për ta, atdheu ishte mbi gazetarinë dhe mbi politikën. Prandaj, edhe u vranë”, shkruan ajo.

Maloku thotë se të deklarosh që këto vrasje nuk janë më temë nuk është vetëm mungesë ndjeshmërie njerëzore, por edhe fyerje ndaj viktimave, ndaj familjeve të tyre dhe ndaj vetë lirisë së fjalës. “Viktimat nuk janë instrument politik dhe vrasjet e pazbardhura nuk janë temë për tallje, banalizim apo përbuzje”, thekson ajo.

Ish-deputetja e LDK-së, e cila vetë ka punuar për vite si gazetare, pyet se si është e mundur që gazetarët, që e dinë ç’do të thotë të sulmohesh për fjalën e lirë, të mos e ndiejnë as detyrimin moral të kërkojnë zbardhjen e vrasjeve të dy kolegëve të tyre, “pikërisht në përvjetorin e vrasjes së njeriut të lapsit e të letrës, Xhemail Mustafa”.

“Vrasja e një gazetari nuk skadon me kalimin e viteve. As e drejta për drejtësi nuk ka afat. Xhemail Mustafa dhe Enver Maloku nuk janë temë e së kaluarës”, shkruan Maloku.

“Ne nuk do të heshtim për t’ua bërë më të rehatshme heshtjen të tjerëve. Vrasjet nuk harrohen duke mos folur për to”, shton ajo, duke theksuar se asnjë vit që kalon nuk e shndërron një krim të pazbardhur në histori të përfunduar.

“Turp nuk është të flasësh për viktimat. Turp është të kesh humbur ndjeshmërinë për ta”, shkruan Maloku. Sipas saj, Enver Maloku, Xhemail Mustafa dhe të tjerët janë plagë të hapura të vendit, ndërsa padrejtësia ndaj tyre është “fatkeqësisht turpi i shtetit tonë”.

Enver Maloku, drejtues i Qendrës për Informim të Kosovës, u vra më 11 janar 1999, pak metra larg banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë, para syve të bashkëshortes dhe fëmijëve. Ai i kishte shpëtuar një atentati të mëparshëm në vitin 1998.

Xhemail Mustafa, publicist dhe këshilltar i presidentit Ibrahim Rugova, u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë.

Më shumë se një çerek shekulli më vonë, vrasjet e tyre mbeten ende të pazbardhura.

Burimi: botasot.info