GazetaMax
Lajme

Vazhdon gjyqi për Merkon, dëshmon mbesa e tij / Gjykatësi pret vendim deri në fund të qershorit

Deri në fund të qershorit do të ketë aktvendim për rastin në të cilin po hetohet kryetari i Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e kontestuar të automjetit luksoz Audi A6 me vlerë prej 67 mijë euro dhe tre vetura të tjera me vlerë prej 114 mijë euro në kohën kur komuna e Strugës kishte llogari të bllokuar bankare, njoftoi sot gjykatësi Jordan Jovanov. Ai tha se provat e paraqitura deri më tani janë të mjaftueshme dhe se propozimet e mbetura do të refuzohen.

“Në seancën e sotme përfunduam provat verbale që Gjykata i pranoi. U prezantuan edhe provat materiale dhe tani mbetet të shikohet i gjithë dokumentacioni dhe t’i jepet mundësia mbrojtjes dhe prokurorisë që të përgatisin fjalën përfundimtare dhe ta përmbyllin në seancën e ardhshme. Kjo do të thotë në qershor dhe ramë dakord që atëherë i akuzuari të paraqesë mbrojtjen e tij dhe nëse do të ketë nevojë për afat të shkurtër për fjalët përmbyllëse, do të japim, por gjatë qershorit do të ketë epilog”, deklaroi Jordan Jovanov-gjykatës.

Gjykimi sot vazhdoi me dëshmitarët e mbrojtjes, mes të cilëve edhe Erhana Bauta, mbesa e Ramiz Merkos, e cili është e punësuar në komunën e Strugës dhe që në kohën e blerjes së automjeteve ka qenë nënkryetare e Komisionit të prokurimeve publike në komunë. Ajo tha se duke qenë se komuna kishte mbetur pa vetura, është bërë prokurimi publik i veturave të reja, për të cilin është marrë vendim edhe nga Këshilli i komunës së Strugës dhe se e gjithë procedura ka qenë transparente dhe është kryer në përputhje me ligjin.

“Pohoj se është përzgjedhur oferta më e favorshme dhe janë blerë 4 automjete, tre automjete për pasagjerë Shkoda dhe një Audi”, tha Erhana Bauta- dëshmitare e mbrojtjes dhe e punësuar në komunën e Strugës.

Në pyetjen e prokurorit publik mbi bazë të të cilave kritere është përcaktuar që këto vetura, veçanërisht Audi A6, të blihen, kryetari i Komisionit për prokurime publike, Alija Ajdinoski, deklaroi:

“Nuk më kujtohet saktë sepse shërbimet komunale merren me kriteret kurse plani vjetor dhe paratë e siguruara kanë kaluar edhe në seancë të Këshillit”, u shpreh Alija Ajdinoski- dëshmitar dhe kryetar i Komisionit për Prokurime Publike.

Revizioni Shtetëror në vitin 2019 ka bërë revizion në punën e komunës për vitin 2018, kur është kryer prokurimi i automjeteve. Liljana Stojanova nga Enti Shtetëror i Revizionit, në cilësinë e dëshmitares, tha se duhet të merret parasysh pjesa e raportit që flet për bllokimin e llogarisë së komunës dhe çfarë kompetenca nuk duhet të merren në rast të tillë.

Avokati i Merkos, Igor Petkovski, tha se vazhdon të vërtetohet teza e mbrojtjes se në këtë rast nuk ka asnjë provë që tregon për ndonjë parregullsi në prokurimin e makinës Audio-s. Sot ka vazhduar gjykimi për vendosjen e tabelës në hyrje të objektit të komunës së Strugës. Ndaj Merkos janë aktualisht 9 raste gjyqësore aktive kurse dokumenti i udhëtimit i është konfiskuar, si masë për shkak të rrezikut të arratisjes.

Related posts

MPB dhe KSHPK do të bashkëpunojnë për të dhënat personale dhe pasurisë së qytetarëve

Gazeta Max

Agron Dedivanaj nga sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu: “Kjo tokë është e jona, ky flamur është i yni, ky komb nuk përkulet kurrë”

Gazeta Max

Spasovski: I gjithë rajoni është nën kanosje hibride, nevojitet bashkëpunim

Gazeta Max