GazetaMax
Lajme

Vendoset afat deri në verë për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë

Shkup, 7 Maj – Qeveria do të përkushtohet deri në verë në zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë, por jo më gjatë se aq. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se javët e mbetura janë ndoshta mundësia e vetme që të shpëtohen marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes dhe të mos prishet ajo që është arritur deri tani. Pas kësaj kohe, Shkupi thotë se nuk ka më energji për t’u përkushtuar tërësisht në atë çështje siç ka bërë deri më tani, shkruan Alsat.

“Mendoj se jemi të detyruar të mos i ekspozojmë më qytetarët në frustrime dhe dëshpërime të tilla të pafundme. Do të duhet një ditë të vendoset pikë dhe të thuhet “mjaft është më”. Ne nuk mund të kemi më qasje të këtillë ku qeveritë do të jenë tematike ku do të merren vetëm me një çështje dhe me një shpresë. Do të duhet të fokusohemi brenda dhe të vazhdojmë me reformat dhe me evropianizimin e shtetit por s’do të ketë energji më të vazhdohet si deri tani”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm

Sigurisht se kjo, sipas ministrit Osmani, nuk e vendos në pikëpyetje Marrëveshjen për fqinjësi të mirë të vitit 2017.

Komunikimi me Sofjen vazhdon dhe qeveria pret që dialogu të konkretizohet gjatë javëve të ardhshme. Nëse do të ketë një marrëveshje, ajo do të jetë gjithëpërfshirëse për të gjitha çështjet e hapura, ku do të definohet edhe koha e zbatimit të tyre. Osmani thotë se brenda periudhës së mbetur edhe opozita duhet të jetë konstruktive dhe ta kuptojë momentin. Sipas tij, bllokimi i paralajmëruar i Kuvendit, sigurisht se është një pengesë në këtë drejtim.

“Ky tentim për bllokim të Kuvendit e çon ujin në drejtim të atyre që kërkojnë alibi se Maqedonia e Veriut është ajo e cila nuk është konstruktive në këtë proces, nuk mund të zbatojë një pjesë të obligimeve të saja dhe nuk është e gatshme për Bashkimin Evropian”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm

Deri tani, nuk ka takim të paralajmëruar të nivelit më të lartë politik me Sofjen për javët e ardhshme edhe pse deri në Samitin e BE-së në qershor mbeten edhe pak javë. 

Related posts

Narendra Modi betohet si kryeministër i Indisë për herë të tretë

Gazetamax.mk

Kapitulli i 28 i negociatave me BE, Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit

Gazetamax.mk

Vendet e BE-së morën mbi 89 mijë kërkesa për azil në shtator

Gazetamax.mk