Shkup, 24 Maj – Pozicione të ngurta nga të dyja palët. Kështu e shohin disa analistë takimin në Romë të dy kryeministrave, Kovaçevski dhe Petkov.
Në një bisedë televizive, analisti Petar Arsovski tha se ende nuk kemi humbur asgjë si shtet, por është shumë më e rëndësishme të shkohet drejt cilësisë së dialogut në vend të zgjidhjes së shpejtë të çështjes me Bullgarinë .
Një pjesë e opinionit ekspert është e ndarë edhe mendojnë se negociatat mes dy vendeve nuk duhet të vazhdojnë fare nëse Bullgaria nuk heq veton për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në në qershor.
Kështu ka deklaruar analisti Mersel Bilalli në paraqitjen e fundit televizive i ftuar në TV 24 në emisionin Studio 10.
Ekspertët bullgarë dhe disa nga historianët në Sofjen zyrtare thonë për mediat bullgare se autoritetet bullgare duhet të qëndrojnë fuqishëm në vendimet e tyre.
Historiani bullgar, Hristo Matanov ka thënë se Bullgaria asesi nuk duhet të bëj lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Dallimet mes qëndrimeve të dy delegacioneve të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në Romë më 24 maj, është një traditë e vjetër dhe tashmë e njohur. E njëjta gjë ka ndodhur në kohën e Jugosllavisë. Bullgaria nuk duhet të bëjë lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut sepse nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë. Nëse bëjmë lëshime do të thotë se jemi dakord me gjuhën e tyre të urrejtjes që na vërshon çdo ditë”, tha Matanov.
Në deklaratat e dhëna për media, të dy kryeministrat dje kanë theksuar se ende nuk ka marrëveshje dhe zgjidhje zyrtare, ndonëse kryeministri Kovaçevski theksoi se kërkesat e reja nuk janë diskutuar fare.
Në fokus të bisedimeve ishin vetëm ato çështje që kanë qenë të hapura deri më tani mes Shkupit dhe Sofjes. Petkov dhe Kovaçevski dje në daljet e tyre publike theksuan se vetoja bullgare është gjithnjë e më e sigurt.