GazetaMax
LAJME

“Vijnë rusët!”

Ka ndikim rus apo s’ka, kjo nuk është ndonjë enigmë e madhe, çështja është si të përballemi me pretendimet e kësaj dhe me eksponentët në mesin tonë nëse i kemi

Nga DAUT DAUTI

1. Është folur për ndikim rus në Ballkan, asgjë e re. Është folur për para ruse edhe në botën shqiptare. Diku janë përmendur emra, madje dhe në nivele të politikës shqiptare(u përmendën edhe liderë partie!), por ka mbetur diku “në mes të rrugës” dëshmimi për këtë. Ose, s’i është shkuar tej punës, sepse marrja e parave nga ndonjë burim vetvetiu nuk paraqet vepër penale,mjafton gjykimi i publikut. Janë përmendur edhe para greke, para serbe, të Sorosit më nuk diskutohen…, të huaja, gjithsesi.

Edhe në fushatën parazgjedhore në Maqedoni po përmendet ndikimi rus. Partitë në pushtet, BDI dhe LSDM, kanë krijuar kauzën e Frontit Evropian që prej kohës, si një alternativë ku i thuhet PO Evropës dhe JO Rusisë. Me logjikën, nëse s’i kryejmë punët për EU(ndryshimet kushtetuese…), do të përfundojmë në përqafim të Rusisë, që është sinonim i shkeljes së të drejtës ndërkombëtare me okupimin e një pjesë të Ukrainës. Gjersa pushteti e ka këtë narrativ, kandidati presidencial i VLEN-it, në Klan Maqedoni deklaroi se ai deri tash nuk ka parë ndikim rus, e ajo që ka parë, është ndikimi serb…Në Kosovë, që gjithnjë e më shumë flitet për rrezikun serb, Serbinë gjithnjë vënë në kontekst të dorës së zgjatur të Rusisë.

(Se ka apo s’ka ndikim rus në Maqedoni, janë rezultatet e zgjedhjeve në Rusi dhe votimi i qytetarëve rusë në vendet ballkanike. Për shembull, rusët e Maqedonisë shumë më tepër e duan Putinin dhe kanë votuar 88.1 për qind e tyre për të, ndryshe nga vendet fqinje: 10,84 e rusëve të Serbisë dhe 8,41 e atyre të Malit të Zi që janë përcaktuar për Putinin, ndërkaq shumica për kundërkandidatin Vlladislav Davankov. Edhe rusët e Bosnjës, që kanë votuar për Putinin, janë më pak se në Maqedoni 77,2 për qind…) Nuk është pa gjë e gjithë kjo që flitet, jo. Ka dhe disa putinistë në politikë e media që flasin hapur, ndonëse të jemi të sinqertë, janë paksa në margjina.

Këtë çështjen e ndikimit e kisha në kontekst më të gjerë. Për shembull, këta konspiracionistët antiperëndimorë, që për shkak të atraksionit medial i kemi të pranishëm në TV-të shqiptare, a kanë marrë ndonjë para prej dikujt, apo e kanë si çështje bindjeje? Antiperëndimori më i madh që ka hapësirë në njërin prej televizioneve shqiptare më të shikuara, kur flet për konfliktin në Ukrainë, e përmend Putinin pa asnjë epitet pezhorativ, ndërkaq, atë që organizon luftë mbrojtëse, e quan “klouni Zelenski”! Një konspiracionist kosovar, duke folur për çështjet globale, dha një diagnozë interesante: në Ukrainë bëhet luftë fetare! Dhe në pyetjen e gazetarit të habitur në studio si është e mundur kјо, kur edhe rusët edhe ukrainasit janë ortodoksë, ai u përgjigj: në anën e Rusisë janë ortodoksët dhe myslimanët, ndërkaq Ukrainën e mbrojnë bota katolike dhe hebrenjtë! Çka duhet të jetë porosia se nga duhet të rreshtohet një mysliman shqiptar?! ”Nëse je bektesh, e merr vesh”.

Kush ka marrë para dhe nga kush, duhet t’i kenë informatat organet përkatëse të vendeve tona. Këto fakte ose dyshime, shpesh shërbejnë për akuza të ndërsjella se kush është i shitur dhe për kë, por mbeten me aq. Askush askënd nuk e ka akuzuar për shpifje. Në Kosovë pati një aferë për një televizion nacional që është regjistruar në Serbi e vepron në Kosovë dhe kauza e lirisë mbeti e padefinuar nën presion të publikut se ku qëndron e vërteta dhe përse ka ndodhur diçka e tillë. Por, të mërkurën mbrëma, një kanali Kino 3 i platformës televizive kabllovike Art Motion nga Kosova, emetoi një film rus, “8 Gushti”, ku flitet për fatin e një nëne dhe fëmijës së saj, në vorbullin e intervenimit rus në Gjeorgji. Filmi nga këndvështrimi narrativ dhe nëse e shikon në mënyrë të paanshme, nëse i anashkalon kontekstet historike e politike, është interesant për t’u shikuar, në nivel të filmave holivudianë, por kontekstet e përmendura nuk mund t’ianashkalosh. Aty ke në njërën anë rusët “e mirë”, edhe pse dihet se intervenimi rus ishte ndaj një vendi të pavarur, ndërkaq “të këqinjtë” janë gjeorgjianët. Sado që ta shikosh nga një vizurë “holivudiane”(filmi ka edhe elemente fantastiko – shkencore(përmes vizurës së përjetimeve të fëmijës), nuk mund t’i ikësh pyetjes: çfarë i duhet publikut shqiptar në këtë moment një film ku kemi një rrëfim me kontekst të dyshimtë,( sadoqë për të mund të lexosh se nuk ka pretendime ta tregojë të vërtetën e luftës së vitit 2008)? Supozimi se ky film “gabimisht” mund të jetë futur në skemën programore nuk qëndron, sepse dikush është ulur dhe ka punuar gjatë kohë për ta përkthyer dhe ka mundur të shohë përmbajtjen e tij para se të emetohej.
Mos vallë janë në pyetje paratë? Apo çështje relativizimi për hir të ndonjë lirie shprehjeje. Këtu nuk është njësoj sikur të vësh në skenë një autor klasik rus të letërsisë së përbotshme apo muzikës e kinematografisë, sepse askush nuk mund të jetë kundër Dostojevskit, Çehovit, Tolstojit, Shostakoviqit, Ejsenshtajnit, Tarkovskit…, sepse kultura ruse i ka dhënë shumë vlera botës, dhe fundja kundër popullit rus edhe s’kemi pse jemi kundër, pasi nga regjimet diktatoriale në të kaluarën, e ka pësuar më së pari ai vetë, por duhet të jemi të kujdesshëm në kohën e këtyre përplasjeve të mëdha në nivel global, se çfarë mesazhesh japim përmes mediave tona.

Ka ndikim rus apo s’ka, kjo nuk është ndonjë enigmë e madhe, çështja është si të përballemi me pretendimet e kësaj dhe me eksponentët në mesin tonë nëse i kemi. Të bëj një paralelizëm me të kaluarën. Diku viteve ‘60-të, ishte xhiruar një film holivudian “Rusët vijnë”, si rezultat i luftës së ftohtë. Por, ai film kishte shërbyer si një përpjekje artistike për t’i ulur paragjykimet dhe për t’i dhënë edhe një dozë humanizmi komunikimit me shtetin më të madh komunist të kohës, ose të paktën në aspektin njerëzor të thyhen paragjykimet, për ta bërë botën më të durueshme me kundërshtitë e veta të luftës së ftohtë.

2.Edhe Amerika më s’është ajo ç’ka qenë. Ka disa gjëra që nuk mund t’i kuptojmë me logjikën e shëndoshë. Sikur janë dy-tri Amerika. Dikur sikur të gjithë përfaqësuesit e saj flisnin një gjuhë, tash më nuk i kupton nëse flasin në emër të shtetit, në emër të ndonjërës nga partitë, apo shprehin qëndrime personale.

Është thyer diçka, ndoshta që nga dita kur në Shtëpinë e Bardhë hyri ish-presidenti Tramp, i cili mbolli një lloj aventurierizmi dhe një lloj mosbesimi institucional me dyshimet për vjedhje zgjedhore për mandatin e dytë që e humbi. Kjo vazhdon si një diskrepancë serioze edhe kundrejt luftës në Ukrainë, ku republikanët e Trampit kanë bllokuar ndihmat e parapara nga presidenti Bajden dhe kjo e ktheu në një farë dore edhe fatin e luftës në dëm të Ukrainës.

Diçka e çuditshme në media është trajtuar edhe “disonanca” midis dy ambasadorëve amerikanë, njërit në Beograd, e tjetrit në Prishtinë. Gjersa për Kristofer Hillin Serbia është më afër NATO-s, se Kosova, që shkaktoi keqkuptime në Kosovë,Xhef Hovenier është përgjigjur se dëshiron të kundërshtojë të gjithë ata që bëjnë krahasime dhe se Uashingtoni mbështet Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Pas një deklarate të këtillë, e ka ndjerë nevojën të reagojë edhe presidentja Vjosa Osmani, për të përkujtuar se “Serbia fle ende mbi varreza masive dhe se nuk është ballafaquar ende me të kaluarën gjenocidale dhe se “kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s ofendon jo vetëm çdo shtet demokratik por edhe të gjitha viktimat e Serbisë së Millosheviqit.” Por çkado që të thoshte Presidentja, do të ishte hip se të vrava, zbrit se të vrava, sepse, deklarata e saj sado që është e saktë, disa analistë kosovarë e akuzuan për jodiplomaci dhe pamaturi.
Kur jemi te deklarata e çuditshme e Hillit, ndoshta ajo ka një prapavijë që duhet pare nga një këndvështrim optimist. Një Serbi në NATO, nuk mund të pretendojë të kthehet në Kosovën e mbrojtur nga forcat e NATO-s!

Related posts

Veprimtari Halit Naxhaku ua uron Festat e Fundvitit Çlirimtarëve që ndodhen në Hagë – JU JENI ATJE, KU NUK DUHET TE JENI!

e-max

Shqetësim nga BE e SHBA për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rusi

e-max

Miteva: Arsovska është fajtore për kaosin në Shkup, të japë dorëheqje

e-max