GazetaMax
Lajme

Virusi që prek rrugët e frymëmarrjes tek fëmijët, spitalet në gjendje të jashtëzakonshme në Gjermani, sa të rrezikuar jemi?

Berlin, 10 Dhjetor – Në Gjermani po qarkullon një virus i rrugëve të frymëmarrjes që prek fëmijët. Spitalet ndodhen në gjendje të jashtëzakonshme, situata është dramatike. Por për gjendjen e vështirë klinikat e kanë fajin edhe vetë.

Një bebe i reanimuar po shtrohet në pediatrinë e tejmbushur. Për të pranuar këtë fëmijë, duhet që një trevjeçar të vazhdojë të presë edhe dritën e tretë radhazi për t’u futur në një operacion të domosdoshëm zemre. Fëmija që pranohet ka bërë gjatë natës 150 kilometra rrugë nga Hanoveri në Magdeburg, për të gjetur një shtrat të lirë, sepse 21 klinikat që ndodhen më afër janë mbushur plot dhe nuk kanë më shtretër të lirë. Tek to ka qindra fëmijë që presin në urgjencë dhe dërgohen megjithatë mbrapsht në shtëpi. Ose trajtohen në pavionet e zakonshme, megjithëse duhen trajtuar në repartin intensiv.

“Fëmijët vdesin, sepse ne nuk jemi më në gjendje të kujdesemi për ta,” paralajmëron Michael Sasse, kryemjek drejtues në repartin intensiv të fëmijëve në shkollën e lartë të mjekësisë në Hanover, kur flet për gjendjen katastrofike në klinikat gjermane të fëmijëve.

Këto fjalë janë të rënda. Kur flet me Mehrak Yoosefin, mëson më shumë nga realiteti. Mjekja e fëmijëve në spitalin Charité të Berlinit thotë: “Aktualisht në të gjitha qendrat e urgjencës për fëmijë shërbimi është 24 orësh. Kapacitetet janë harxhuar, ne nuk mund të sigurojmë më kujdesin. Ne duhet të shohim që të arrijmë që asnjë fëmijë të mos vdesë gjatë kësaj kohe.”

Virusi RS i rrezikshëm sidomos për fëmijët e vegjël

Kjo periudhë dhjetori është periudha më e fortë për viruset në Gjermani. Sipas Institutit Robert Koch, gati një në dhjetë vetë vuan aktualisht nga një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes. Shifra ka arritur gati 9 milionë vetë.

Me shumë tërbim viruset përhapen sidomos mes fëmijëve të shkollës të moshës nga 5 deri 14 vjeç. Shumë e rrezikshme për fëmijët dhe sidomos për bebet është i ashtuquajturi virusi RS, virusi synzytial i organeve të frymëmarrjes. Ai sëmur rrugët e frymëmarrjes dhe shkakton goditje të rënda që kërkojnë madje frymëmarrje artificiale.

Deutschland Schulunterricht Corona im Winter

Përhapja e virusit me tërbim të madh në Gjermani ka të bëjë me pandeminë e Coronës.

Për shkak të mbajtjes së maskës dhe izolimit prej Coronës, fëmijët e vegjël janë infektuar rrallë me virusin RS, prandaj e marrin atë tani. Kjo ka pasoja të mëdha për sistemin gjerman të shëndetësisë, që vuan gjithësesi nga mbingarkesa prej sëmundjeve kronike. Yoosefi, që mban maskë për t’u mos u sëmurur edhe vetë thotë:

“Një pjesë të këtyre fëmijëve ne nuk mund t’i shtrojmë, sepse nuk kemi shtretër. Një pjese të fëmijëve nuk mund t’u jepet ndihmë frymëmarrjeje, sepse nuk kemi pajisje të lira, për të kontrolluar ngopjen me oksigjen. Këta janë fëmijë që mund të sëmuren nga ndalimi i frymëmarrjes. Fëmijët nxirren nga spitali para kohe dhe dërgohen nga pavionet e shërbimit intensiv në ato normale më herët nga sa duhet.”

Në klinika nuk ka më shtretër të lirë

Një sondazh i kryer nga DIVI, Shoqata gjermane ndërdisiplinore për mjekësinë intensive dhe urgjente, nxorri në pah se një në dy klinika është e detyruar të mos pranojë fëmijë të tjerë për t’i shtruar në pavionin intensiv. Nga 110 klinikat e fëmijëve, 43 prej tyre nuk kanë pasur më asnjë shtrat të lirë në pavionet e shërbimit intensiv.

Përveç kësaj, edhe nëse ka mjaft shtretër për trajtimin intensiv, 40 përqind e tyre nuk mund të përdoren për shkak të mungesës së personelit. “Ne jemi të gjithë të strapacuar,” thotë mjekja e fëmijëve të spitalit Charité, “mungesa ka në të gjitha qoshet, përfshirë edhe mungesa në personel, për të përballuar ardhjet e shumta.”

Problemi nuk është se klinikat gjermane të fëmijëve nuk kanë bërë parashikime për atë çka i pret këtë dimër. Që në muajin janar Mehrak Yoosefi, së bashku me nismën e klinikave të pediatrisë në Berlin, një grup mjekesh dhe mjekësh të kryeqytetit iu drejtua politikës. Por nuk mori asnjë përgjigje. Një letër e dytë apeli drejtuar senatores së Berlinit për çështjet e shëndetësisë, Ulrike Gote (Të gjelbërit) dhe ministrit socialdemokrat të Shëndetësisë, Karl Lauterbach pasoi në muajin shtator.

“Ne e parashikuam këtë valë virusi. Dhe tani tronditja është e madhe, sepse situata është shumë më e keqe se mendohej.”

Trajtimi mjekësor i fëmijëve kërkon më shumë kohë dhe një qasje ndryshe nga trajtimi i pacientëve nëmoshë madhore

300 milionë euro për pediatritë dy vitet e ardhshme

Vonë, shumë vonë për këtë dimër erdhën reagimet nga politika. Parlamenti gjerman aprovoi një paketë ligjore për spitalet, i cili do t’i japë më shumë para arkave të zbrazura të klinikave të fëmijëve. 300 milionë euro do jepen më shumë në vitin 2023 dhe 2024. Si dhe 120 milionë euro për sigurimin e vendeve obstetrike. Por Yoosefi indinjohet shumë nga propozimet e ministrit të Shëndetësisë Karl Lauterbach për të përballuar krizën aktuale, duke  dërguar tek spitalet e fëmijëve personel të marrë nga pavionet e tjera.

Karl Lauterbach

“Në letër është e lehtë të thuash që postet mund të dërgohen nga një vend në tjetrin. Po ku mund të gjenden këta njerëz për t’i marrë? Pavionet e tjera nuk kanë personel të tepërt, që mund ta shpërndajnë majtas ose djathtas. Përveç kësaj shëndeti i fëmijëve është një specialitet më vete. Personeli që punon zakonisht me të rritur, ndihet pjesërisht i pasigurt për të punuar në pediatri.”

Disavantazhe për shkollimin e përgjithshëm të infermierëve

Shkollimi i infermierëve do të bëhej më modern dhe më interesant me ndryshimet e bëra që nga 1 janari 2020, njoftonte në atë kohë me krenari Ministria federale për Çështjet e Familjes. Por, tre vjet më vonë klinikat e fëmijëve kuptojnë me dhimbje se i ashtuquajturi shkollim i përgjithshëm i infermierëve, ku lejohet të punojnë të punësuar nga të gjitha moshat dhe të gjitha sektorët e kujdesit shëndetësor, nuk ka vetëm avantazhe.

Profesor Jörg Dötsch, drejtor i klinikës së pediatrisë të Universitetit të Këlnit dhe president i shoqatës gjermane për mjekësinë e fëmijëve dhe të rinjve, sheh një boshllëk me rrezik të madh në infermieri: “Para disa vitesh u mor vendimi që arsimi i infermierëve të përshtatej me zakonet europiane. Duke shpresuar që një pjesë e këtyre njerëzve të specializoheshin mbase për kujdesin ndaj fëmijëve të sëmurë. Problemi është se pjesa e atyre që janë specializuar në këtë fushë është shumë e vogël. Mbase më kritike është puna, sepse në disa lande gjermane mundësitë për këtë specializim nuk ofrohen fare.”

Përveç kësaj, po ashtu si në infermierinë për të rritur, infermieret dhe infermierët e klinikave të pediatrisë e lanë punën gjatë dhe pas pandemisë së Coronës. Më parë njerëzit punonin 30 ose 40 vjet në infermieri, sot e lenë këtë profesion pas tetë, nëntë vjetësh, vëren Dötsch. Këta janë njerëzit që shpesh mungojnë për të realizuar kujdesin optimal ndaj fëmijëve dhe të rinjve. “Ne kemi mungesa të personelit të kualifikuar dhe prandaj nuk mund të përdorim tani të gjithë shtretërit.”

Pagesa për numër të sëmurësh fatale sidomos për klinikat e fëmijëve 

Shqetësim krijon po ashtu pagesa e infermierëve për numër të sëmurësh, sidomos për spitalet e fëmijëve. Që nga viti 2004, shërbimi në spitale paguhet sipas diagnozës së të sëmurit, jo sipas personelit që i shërben të sëmurit dhe kohës që harxhon me të. Ndërkohë që për një injeksion tek një i rritur duhet një minutë, për të marrë analizat e gjakut, tek një fëmijë dhe për të sqaruar prindërit e tij duhet gjysmë ore. “Për fëmijët dhe të rinjtë duhet më shumë energji dhe kohë, sepse ata dhe prindërit e tyre kanë nevoja të tjera kujdesi,” thotë drejtori i klinikës së fëmijëve, Dötsch.

Sidoqoftë, ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach ka njoftuar se në të ardhmen në klinika vendimet për trajtim nuk do të merren nga detyrimet ekonomike, por nga nevojat mjekësore dhe se së shpejti do t’i jepet fund sistemit të pagimit sipas numrit të të sëmurëve që trajtohen, sikur kemi të bëjmë me dyqanet që shesin ushqime “të lira dhe me shumicë”.  Mehrak Yoosefi, mjekja e fëmijëve në Berlin mezi pret që të ndodhë kjo: “Pediatria duhet të dalë nga sistemi i pagesave sipas numrit të të sëmurëve dhe duhet të gjejë një mënyrë tjetër financimi.”

Related posts

Ahmeti në Tiranë viziton edhe Qendrën Informative Kulturore

Gazetamax.mk

Pandov takon drejtorin e Shoqatës Europiane të Kartës Rinore (EYCA), Manel Sanchez dhe menaxheren e programit, Corina Pirvulescu

Gazetamax.mk

Hoxha: Zbatimit në praktikë i Ballkanit të Hapur, i duhet mbështetja e BE dhe SHBA

Gazetamax.mk