VLEN kandidon Jakup Huseinin për kryetar të Bërvenicës

Koalicioni VLEN ka shpallur kandidaturën e Jakup Huseinit për kryetar të Komunës së Bërvenicës.

Nga VLEN-i bëjnë të ditur se Huseini është magjistër i shkencave juridike dhe aktualisht punon si nëpunës shtetëror në Komunën e Bërvenicës. Sipas tyre, përvoja profesionale dhe puna e drejtpërdrejtë me qytetarët i kanë mundësuar atij të njihet nga afër me nevojat, problemet dhe sfidat e komunës.

“Gjatë gjithë angazhimit të tij profesional, Jakup Huseini ka qenë në shërbim të banorëve dhe i përkushtuar ndaj përgjegjësive institucionale”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.

Nga ky koalicion vlerësojnë se përparësia e kandidatit të tyre qëndron në njohjen e administratës komunale, procedurave institucionale dhe nevojave të banorëve. Për këtë arsye, siç theksojnë, Huseini do të mund ta nisë punën që nga dita e parë, pa humbur kohë për t’u përshtatur me funksionimin e komunës.

VLEN-i thotë se me këtë kandidaturë u ofron banorëve të Bërvenicës një kandidat me përgatitje juridike, përvojë profesionale dhe njohje të drejtpërdrejtë të problematikave lokale.

“Nga dita e parë, në shërbim të banorëve të Bërvenicës”, përfundon njoftimi i VLEN-it.