GazetaMax
Lajme

Xhaferi – Shentop: Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë i lidhë miqësia dhe partneriteti tradicional

Shkup, 20 dhjetor – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Mustafa Shentop, i cili po qëndron për vizitë dyditore në vend me një grup deputetësh. Në takim morën pjesë nënkryetari i Kuvendit, Hysni Ismaili dhe sekretarja e përgjithshme, Cvetanka Ivanova.

“Xhaferi u shpreh i kënaqur për vizitën e sërishme të Kryetarit Mustafa Shentop, e cila përkon me shënimin e 21 Dhjetorit, Ditës së Mësimit në Gjuhën Turke. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë ruajnë miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, ndërsa bashkëpunimi bilateral midis të dy vendeve është dinamik në të gjitha nivelet dhe veçanërisht në nivelin parlamentar. Xhaferi e uroi Shentopin për kryesimin e ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi – PABSEK, që përkon me 30-vjetorin e formimit të kësaj asambleje ndërkombëtare”, informojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut iu referua edhe bashkëpunimit ekonomik midis të dy vendeve, duke theksuar se Republika e Turqisë është vazhdimisht ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vazhdimisht investon në ekonominë e Maqedonisë, dhe në këtë drejtim kontribut të veçantë jep Oda Ekonomike e RMV-RT, MATTO.

Xhaferi theksoi se e vlerësojmë shumë bashkëpunimin e suksesshëm me Republikën e Turqisë në kuadër të NATO-s dhe mbi të gjitha në fushën e trajnimit dhe edukimit ushtarak, donacionet e pajisjeve për nevojat e Armatës sonë, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet paqësore.

Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Mustafa Shentop, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është vend vëllazëror dhe miqësor dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Turqisë, dhe gjithmonë i kushtohet vëmendje e madhe marrëdhënieve midis të dy vendeve të cilat zhvillohen në korniza multidimensionale. Ai u zotua për intensifikimin e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të ndërsjellë në periudhën e ardhshme, me të njëjtin vullnet dhe sinqeritet si më parë.

“Kryetari Shentop iu referua bashkëpunimit të frytshëm ndërparlamentar në më tepër fusha dhe vlerësoi se është i nevojshëm thellimi i konsultimeve të ndërsjella për sfidat rajonale dhe globale. Ai uroi sukses në agjendën intensive të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të kryesimeve të ardhshme me OSBE-në dhe Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ndërsa mjaft të rëndësishëm e vlerësoi procesin e përmbylljes së institucionalizimit të Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së me formimin e sekretariatit ndërkombëtar”, thuhet në kumtesën e shërbimit për shtyp të Kuvendit.

Shentop theksoi se Republika e Turqisë e mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit dhe veçanërisht të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, ai uroi për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe është i bindur se vendi do të bëhet anëtar i Unionit brenda një periudhe të arsyeshme kohore.

Ai theksoi se vizita e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut është në kuadër të shënimit të Ditës së Mësimit në gjuhën turke dhe theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që komuniteti turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut ta gëzojë të drejtën e arsimimit në gjuhën amë.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik midis të dy vendeve, Shentop u shpreh i kënaqur për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe theksoi se Turqia i inkurajon biznesmenët turq që të investojnë në Maqedoninë e Veriut.

Bashkëbiseduesit iu referuan nevojës së revidimit dhe plotësimit të “Marrëveshjes për Tregti të Lirë” midis të dy vendeve, në drejtim të liberalizimit më të madh të produkteve tregtare, për të cilën negociatat janë në fazën përfundimtare.

Xhaferi dhe Shentop u shprehën të bindur se partneriteti afatgjatë midis të dy vendeve dhe trendi pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral edhe më tutje do të përparojnë. Në këtë drejtim, Xhaferi e pranoi ftesën e Shentopit për të realizuar vizitë kthyese në Republikën e Turqisë.

Related posts

Nesër vota për shpresën!

Gazetamax.mk

Kryeministri Kurti e kryeparlamentari Konjufca bëjnë homazhe tek busti i Madeleine Albright, e vlerësojnë lartë figurën e saj

Gazetamax.mk

Monitorimi i shpërndarjes së lëndëve si në gjyqsor, duhet të zbatohet edhe në Prokurori

Gazetamax.mk