Xherdan Shaqiri: Nuk vij në stërvitje për të qëndruar në bankën rezervë

Baseli vazhdon të mos dalë nga kriza. Xherdan Shaqiri nuk është i kënaqur me rolin e tij në skuadër, ndërsa Slavisha Jokanoviqi do të mbetet trajner.

Goli i Xherdan Shaqirit nuk i mjaftoi Baselit për të marrë rezultat pozitiv, pasi Grasshoppersi triumfoi me përmbysje, 2:1, në ndeshjen e javës së 15-të të kampionatit zviceran të futbollit.

Në duelin e skuadrave në krizë kundër Grasshoppersit, Baseli kaloi në epërsi 0:1 pas pak më shumë se një ore lojë.

Por, më pas e humbi këtë epërsi dhe, pas një goli të pësuar në kohën shtesë, mbeti sërish duarthatë.

Kjo ishte humbja e tretë në katër ndeshjet e fundit, ndërsa fitorja e fundit e Baselit në Superligë daton nga mesi i shtatorit.

Sipas SRF, as vendimi për ta aktivizuar Xherdan Shaqirin si zëvendësues nuk dha plotësisht efektin e dëshiruar.

Ndonëse lideri i skuadrës shënoi menjëherë pas inkuadrimit në lojë, me ish-futbollistin e kombëtares zvicerane në fushë, Baselit më pas i mungoi çdo qëndresë.

Pas ndeshjes, Shaqiri u shfaq dukshëm i zhgënjyer para mikrofonave: “Pas një humbjeje, natyrisht që jam i zhgënjyer, sikurse e gjithë skuadra”.

Nuk dëshiron të jetë zëvendësues

Edhe pse paraqitjen e skuadrës e vlerësoi si më të mirë në krahasim me humbjen kundër Luzernit, Shaqiri kërkoi më shumë: “Duhet të përpiqemi që më në fund ta fitojmë një ndeshje.

Për këtë duhet të punojmë të gjithë edhe më shumë”. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të dilet nga kjo situatë e vështirë.

Ndërkaq, 35-vjeçari nuk e fshehu aspak pakënaqësinë për rolin e tij, duke e nisur ndeshjen nga banka rezervë.

“Absolutisht jo. Përderisa jam te FC Baseli, dua të luaj gjithmonë”, deklaroi Shaqiri.

Më pas, ai ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Unë nuk vij në stërvitje për të qëndruar në bankën rezervë’.

Jokanoviqi mbetet trajner

Për rolin e Shaqirit në skuadër përgjegjës është trajneri Slavisha Jokanoviq, i cili ende nuk ka arritur të regjistrojë fitore në Superligë. Në ndeshjet kundër Vaduzit, Luganos, Thunit, Luzernit dhe dy herë kundër Grasshoppersit, trajneri serb ka marrë vetëm dy pikë.

Megjithatë, për momentin, pozita e tij nuk është në diskutim.

“Slavisha aktualisht nuk është në diskutim”, deklaroi drejtori teknik Andreas Herrmann. “Ai sjell jashtëzakonisht shumë qetësi në skuadër”.

Kjo qetësi do të jetë e nevojshme në Basel, ku aktualisht ekziston një hendek i madh ndërmjet pritshmërive dhe realitetit.

“Ne kemi pritshmërinë që ta fitojmë çdo ndeshje”, tha Herrmann.

Ai pranoi se efekti i ardhjes së trajnerit të ri nuk ishte ai që ishte dëshiruar. “Por tani skuadra është e detyruar të marrë përgjegjësinë. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë”.

Në të njëjtën kohë, drejtori teknik gjerman paralajmëroi edhe për përforcime të reja: «I kemi identifikuar repartet ku kemi probleme dhe po punojmë për përforcime për afatin kalimtar të dimrit, por edhe për atë të verës”.

Ai shtoi se synimi është që në Basel të rikthehen edhe figura me të cilat tifozët identifikohen.

Burimi: botasot.info