Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, priti sot në Ohër homologun e tij nga Sllovenia, ministrin Boshtjan Poklukar, me të cilin zhvilloi një takim pune.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet dy ministrive dhe policive, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, menaxhimit të migracionit ilegal dhe trajnimit të kuadrove policore.
Iseni falënderoi ministrin Poklukar për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë, si në situata emergjente ashtu edhe në procesin e integrimeve evropiane. Nga ana e tij, ministri slloven theksoi mbështetjen e plotë për reformat, për iniciativën për krijimin e Shoqatës Rajonale të Akademive Policore dhe për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Ai shtoi se vendi tashmë është partner i rëndësishëm dhe aleat i besueshëm në NATO.
Në kuadër të bisedimeve, u propozua edhe nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi mes Qendrës së Trajnimit të MPB-së dhe Akademisë Policore të Sllovenisë, që pritet të hapë rrugë të reja bashkëpunimi në fushën e trajnimit profesional.