Komuna e Zhelinës po përballet me një krizë të rëndë mjedisore dhe infrastrukturore, pasi kanalizimet e papastruara prej vitesh kanë përmbytur tokat më pjellore të zonës me ujëra të zeza. Pamjet e publikuara ditët e fundit nga banorët lokalë kanë ngjallur shqetësim dhe reagime të ashpra ndaj udhëheqjes komunale.
Sipas Memet Nezitit, bartës i listës për këshilltarë të AKI në Komunën e Zhelinës, situata aktuale është pasojë e një mungese totale të mirëmbajtjes dhe përgjegjësisë nga ana e kryetarit të komunës, i cili, sipas tij, po merret me veprime kozmetike në prag të fushatës zgjedhore.
“Për 8 vite me radhë kanalizimet nuk janë pastruar as mirëmbajtur. Si rezultat, toka më pjellore e Zhelinës është sot e përmbytur nga ujërat e zeza, ndërsa kryetari aktual hap gropa për poena politike. Kjo është një tallje me banorët,” – deklaroi Neziti.
Ai shtoi se përveç dëmeve në bujqësi dhe rrezikut për shëndetin publik, komuna është e bllokuar edhe financiarisht, për shkak të borxheve dhe përmbaruesve që, sipas tij, po e mbajnë peng funksionimin normal të institucioneve lokale.
Në deklaratën e tij për media, Neziti kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes aktuale dhe bëri thirrje për ndryshim të menjëhershëm.
“Kemi një kryetar që krekoset si gjel në pleh të kojshisë, ndërsa realiteti në terren është katastrofik. Kudo vetëm dështime dhe keqpërdorime pa fund. Koha për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje ka ardhur,” – theksoi ai.
Banorët e Zhelinës, të revoltuar nga gjendja, kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për pastrimin e kanalizimeve dhe rivendosjen e funksionalitetit në zonat bujqësore. Disa prej tyre shprehen se janë të detyruar të braktisin përkohësisht tokat e tyre, për shkak të ndotjes dhe erës së rëndë.
Fushata zgjedhore në Zhelinë pritet të zhvillohet në një atmosferë të tensionuar, me çështjet e infrastrukturës, bujqësisë dhe keqmenaxhimit qëndrojnë në qendër të debatit politik.