GazetaMax
Lajme

1.3 miliardë euro do të kushtojë autostrada që do të lidhë Tetovën me Ohrin

1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër do të kushtojë projekti për ndërtimin e korridorit 8 dhe korridorit 10, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathan. Zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se çmimi është nën mesataren e autostradave të ndërtuara në rajon, ku çmimi për kilometër autostradë shkon deri në 19 milionë euro. Paratë për këtë projekt infrastrukturor do të ndahen nga buxheti i shtetit, nga 250 milionë euro në vit, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 km autostradë. Nga korridori Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari në Kërçovë do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtes do te ndertohet nje autostrade tjeter. Nga ana e Shqipërisë tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe portin e thatë në Durrës”, tha Grubi.

Ai u bëri thirrje gazetarëve që të bisedojnë me konsulentë apo ekspertë për këtë projekt.

Kujtojmë se dje me propozim të Komitetit për Negociata për Ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi kontratën për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D.

Miratimi i kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D erdhi pas katër javëve negociata të cilat janë realizuar në mes të konsulentit për transaksion financiar të Qeverisë, IRD dhe konzorciumit ndërkombëtar Bechtel Enka.

“Ditë e madhe sot në Komitetin drejtues dhe në Qeveri ku shqyrtuam raportin e konsulentit tonë mbi negociatat me konzorciumin Bechtel Enka për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D si dhe miratim përmbajtjen dhe nënshkrimin e kontratës”, është shprehur Grubi.

Qeveria javë më parë miratoi konkluzionin e propozuar nga Komiteti për negociata, se ishin plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave dhe formimin e grupeve të punës mes Bechtel Enka dhe IRD, negociata të cilat zgjatën 28 ditë.

Korridori 8 shtrihet në gjatësi prej 68 km, me autostradë me 6 korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D nga Prilepi në Manastir shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, në periudhë prej 3 viteve nga fillimi i punimeve.

“Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e vendit tonë do të kontribuojë në ekonominë, modernizimin e infrastrukturës rrugore, e cila në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, por edhe jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe Korridoret ndërkombëtare”, thanë nga Qeveria.

Kujtojmë se Prizma në analizën e saj shkroi se autoritetet hetimore në atë vend kaukazian po hapin hetim për “zhvillimin dhe zbatimin e projektit të korridorit rrugor veri-jug në periudhën 2009-2018″.

Zëdhënësja e Prokurorisë Armene, Lousin Martirosyan, tha për BIRN se më 6 dhjetor 2018, “bazuar në provat e mjaftueshme të marra në çështjen penale”, Dimitrijeviq, në rolin e “udhëheqësit të ekipit të ndërmarrjes së përbashkët franceze “Savage-Eptisa“, akuzohet me nenin 178 paragrafi 3 pika 1 të Kodit Penal.

Ky nen i Kodit Penal armen, i cituar nga prokuroria, i referohet “mashtrimit të kryer në shkallë të gjerë“. Asokohe ndaj Dimitrijeviqit kishte një masë parandaluese se nuk lejohej të largohej nga vendi.

Por muaj më vonë ai vendos të mos respektojë vendimin e autoriteteve shtetërore. Në shtator të vitit 2019, ai u largua nga vendi me ndihmën e diplomatëve maqedonas dhe tre personave të tjerë dhe që nga ajo kohë rezulton i zhdukur. Armenia është në kërkim të tij për mashtrim dhe në mungesë të tij është urdhëruar masa e paraburgimit.

Në Maqedoni, nga ana tjetër, kompania në të cilën Dimitrijeviq është një nga pronarët është “Euro consulting” DOO, si dhe kompania për të cilën ka punuar në Armeni, “Eptisa” spanjolle, janë pjesë e konsorciumit të kompanive që fitoi tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10, që do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka”.

Related posts

Kapet duke transportuar 20 emigrantë nga Siria, shtetasi serb arrestohet në Maqedoni

Gazetamax.mk

Mariçiq-Varhej: Të gjithë në RMV do të qëndrojnë pas të ardhmes evropiane të vendit

Gazetamax.mk

Ambasada turke falenderon për solidaritetin e shprehur nga vendi pas tërmetit në Turqi

Gazetamax.mk