GazetaMax
Lajme

15 kuadro të rinj shqiptar angazhohen në Byronë për Vlerësim – një hap drejt përfaqësimit të barabartë dhe forcimit institucional

Me një ndjesi krenarie dhe përgjegjësie të lartë, drejtori i Byrosë për Vlerësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fejsal Beadini, ka bërë të ditur angazhimin e 15 punëtorëve të rinj shqiptarë në këtë institucion të rëndësishëm shtetëror.

Ky hap përfaqëson jo vetëm një zgjerim të kapaciteteve profesionale dhe administrative të Byrosë, por mbi të gjitha, vlerësohet si një shenjë konkrete e përkushtimit institucional ndaj barazisë dhe përfshirjes së qytetarëve shqiptarë në administratën shtetërore.

“Ky është një moment i rëndësishëm për institucionin tonë. Përfshirja e kuadrove të rinj shqiptarë nuk është vetëm një domosdoshmëri institucionale, por është një pasuri reale për Byronë tonë. Me përkushtimin, dijen dhe energjinë që sjellin këta profesionistë të rinj, jam i bindur se do të arrijmë rezultate edhe më të larta në përmbushjen e misionit tonë,” – theksoi Beadini.

Ai u shpreh se ky veprim është një dëshmi se përfaqësimi i drejtë nuk duhet të mbetet vetëm premtim politik, por të realizohet në praktikë, me hapa konkretë dhe të matshëm.

Drejtori Beadini gjithashtu uroi të gjithë punonjësit e rinj për mirëseardhje në institucion dhe i ftoi që me profesionalizëm dhe ndershmëri të jenë pjesë aktive e zhvillimit të mëtejmë të Byrosë për Vlerësim.

“Suksesi ynë është i përbashkët. Ai ndërtohet përmes bashkëpunimit, respektit dhe punës së ndershme,” përfundoi Beadini.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë theksohet nevoja për balancim të përfaqësimit etnik në institucionet shtetërore dhe përfshirje reale të të gjithë qytetarëve në jetën publike dhe administrative të vendit. Iniciativa të tilla dërgojnë mesazhe pozitive dhe rrisin besimin qytetar në institucionet shtetërore.

Related posts

Besimi – Yu: Vijon partneriteti i ndërsjellë me Bankën Botërore përmes Kornizës së re, ku prioritet është arritja e rritjes inkluzive, të qëndrueshme dhe të gjelbër

Gazeta Max

Që nga ardhja e Arsovskës, Shkupi nuk pa dritë me sy! A është dorëheqja zgjidhja më e mirë?

Gazeta Max

Infeksionet virale mbushin spitalin në Prilep

Gazeta Max