GazetaMax
Lajme

24 vjet pas Ohrit – Analiza të humbura dhe miliona të harxhuara

24 vjet pas nënshkrimit, Marrëveshjen e Ohrit vazhdon ta ndjekë hija e moszbatimit të përpiktë nga institucionet shtetërore. Ndër vite, marrëveshja është kritikuar me tonet nga më të ndryshme, deri edhe aty sa është shpallur ndonjëherë nga analistët, edhe si e vdekur apo në vdekje klinike. Barra për moszbatimin e saj, padyshim që bie mbi BDI-në si parti, e cila që nga firmosja e saj, ishte në pushtet për 22 vite me radhë. Dështimin për të transformuar fjalët në vepra, BDI-ja ishte munduar ta mbulonte me analiza, për të cilat ish Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit do të paguante nga 100 mijë euro, dhe t’i shpaloste në opinion si reflektim për avancimin e marrëveshjes.

Tenderi i parë i shpall në vitin 2013, me të cilin parashikohej që analiza të përfundonte brenda një viti, ndërsa kontraktori do të duhej të njoftonte opinionin me rezultatet e analizës.

Tenderin 6 milionë denarësh apo afërsisht 100 mijë eurosh e fitoi kompania “TAG Komunikacii”, në krye të së cilës ishte Gazmend Ajdini, i afërt i BDI-së dhe mbajtës i disa pozitave shtetërore në kuadër të kësaj partie. Kompania arsyetohej se paratë i kishte fituar për të ofruar asistim teknik të analizës, për të cilën duhej të angazhohen ekspertë dhe profesorë, të organizoheshin konferenca, tribuna, prezantime, por edhe hulumtime të opinionit publik.

Pavarësisht se analiza e plotë nuk është e qasshme, sipas raportimeve mediatike të asaj kohe, ndër të tjera ajo rekomandonte vendosjen e detyrimeve ligjore ndaj kompanive me interes shtetëror, që nëse nuk respektonin përfaqësimin e drejtë, do të kushtëzoheshin me licencat dhe me pjesëmarrjen e tyre në tenderët qeveritarë. Një tjetër ishte adresimi serioz i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve me bazë urrejtjen, duke u përfshirë në Kodin Penal; rritja e decentralizimit me masa konkrete buxhetore, por edhe rregullim i statusit të individëve dhe familjeve të viktimave nga konflikti i vitit 2001.

Në bazë të këtyre rekomandime, zëvendëskryeministri i atëhershëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, e pati quajtur analizën avancim të Kushtetutës.

“Dokumenti është një avancim i Kushtetutës, mendoj interpretim i avancuar i Kushtetutës dhe krijon hapësira për të ndërtuar një kohezion për të relaksuar raportet dhe për t’u ndier të gjitha bashkësitë komod në shtëpinë e tyre”, pati thënë Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër asokohe.

Por, nga kjo deklaratë, BDI-ja vazhdoi edhe për 9 vite të tjera në pushtet, dhe asnjërën prej këtyre rekomandimeve nuk e zbatoi. Nuk u arrit të sigurohej mekanizëm për t’i detyruar kompanitë që të respektonin përfaqësimin; gjuha e urrejtjes nuk u ndëshkua asnjëherë, saqë u shndërrua në mjet për ripozicionim në pushtet, u dështua në procesin e decentralizimit e të mos flasim për statusin e të luftëtarëve të UÇK-së të vitit 2001, të cilët në analizë referoheshin me termin “individë”, E kundërta ndodhte me ish-branitellat, forcat e sigurisë, për të cilët BDI-ja kishte votuar ligjin dhe kishte mbështetur edhe dëmshpërblime dhe benificione të caktuara.

Një vit pas përfundimit të analizës së parë, në vitin 2015-të, Sekretariati do të publikonte tender për një analizë të dytë, që do të përfundonte deri më 9 gusht të vitit 2016-të. Tenderi, i cili sërish peshonte rreth 100 mijë euro, sërish do të shkonte në duart e kompanisë “Tag Komunikacii”.

Gjithashtu, edhe kjo analizë aktualisht nuk është publike. Në bazë të raportimeve mediatike, analiza kishte konstatuar se edhe 15 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar mjaftueshëm nëpër institucione. Konstatohej se edhe rekomandimi i analizës paraprake për përfaqësim në kompanitë me interes shtetëror nuk ishte përmbushur, për shkak se asnjë politikë inkurajuese nuk ishte marrë në këtë drejtim. Krahas kësaj ishte konstatuar një numër i madh administratorësh që merrnin rrogë dhe qëndronin në shtëpi, në pritje të sistemimit të tyre nëpër institucione. Decentralizimi konstatohej gjithashtu kritik ndërsa zhvillimi rajonal nuk ishte i barabartë.

Pavarësisht gjetjeve dhe rekomandimeve të dy analizave, të njëjtat kurrë nuk patën fuqi politike dhe as status juridik, sepse kurrë nuk u pranuan nga partneri i atëhershëm i BDI-së në Qeveri, Nikolla Gruevski. Për këtë, dëshmon edhe ky raportin i Alsat gjatë asaj periudhe:

Krahas kësaj, analizat sot nuk mund të gjenden në uebfaqen e asnjë institucioni shtetëror në formë integrale, as nga ish Sekretariati që sot e ka emrin Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes bashkësive, dhe as në uebfaqen e qeverisë.

Por rrëfimi me analizat nuk mbaron këtu. BDI-ja kishte tentuar të bënte edhe një analizë të tretë në vitin 2016. Pas dy tenderëve që kishte fituar “Tag Komunikacii”, kësaj radhe tenderin 90 mijë eurosh do ta fitonte firma tregtare eksport import TDS Kioski. Alsat asokohe zbuloi skandalin se në fakt kjo kompani që s’kishte lidhje me veprimtari politike, në mënyrë të paligjshme kishte fituar tenderin. Kompania kishte tentuar që ta mbulonte marrjen e tenderit nën arsyetimin se zbatimi i detyrave që dalin nga analiza do t’i kryente nëndega e saj e marketingut “TDS adversiting Tetovo”. Por pas hulumtimit të Alsat u zbulua se në fakt kjo nëndegë ishte regjistruar në Regjistrin Qendror, 11 ditë pas fitimit të tenderit. Pas presionit mediatik që zbuloi shkeljen flagrante të procedurave të tenderit, Sekretariati u detyrua që ta prishte marrëveshjen. Këtu mori fund edhe saga e analizave, për të cilat kishin paguar të gjithë taksapaguesit e vendit, ndërkohë që efekti i tyre mbetet zero./ Alsat.mk

Related posts

Dega e Çairit e Alternativës kërkojnë dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Bekim Sali

Gazeta Max

Prej nesër 100 të punësuar në “Ujësjellës dhe Kanalizim” do të ngelin pa punë

Gazeta Max

Spasovski nesër në Forumin Ministror BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë

Gazeta Max