29 ura, 34 kilometra hekurudhë dhe ritëm i ri/ Vazhdon ndërtimi i Korridorit 8

Janë intensifikuar aktivitetet ndërtimore në hekurudhën e Korridorit 8, në pjesën nga Bellanovca (Kumanovë) deri në Kriva Pallankë.

“Po e ndërtojmë Maqedoninë”, ka shkruar në Facebook zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Edhe drejtori i “MZh Infrastrukturë”, Sinisha Ivanovski, ka njoftuar në profilin e tij në Facebook se janë shtuar aktivitetet ndërtimore në hekurudhën drejt Bullgarisë, në segmentin nga Bellanovca drejt Kriva Pallankës.

“Ky segment është i gjatë 34 kilometra. Aktualisht me ritëm të shtuar po ndërtohet ura numër 7, më e gjata në këtë trase, me gjatësi prej 194 metrash. Ajo është njëra nga tri urat që ende nuk janë ndërtuar, nga gjithsej 29 ura”, ka shkruar Ivanovski.

Sipas tij, paralelisht po prodhohen elementet e betonit të nevojshme për sanimin e 26 urave të nisura pjesërisht që nga vitet ’90.

“Gjithsej duhet të prodhohen 352 elemente betoni, ndërsa deri tani janë prodhuar 71, me një ritëm prej 10 elementesh në javë”, ka bërë të ditur drejtori.

Sipas Ivanovskit, realizimi i përgjithshëm i projektit aktualisht është rreth 40 për qind, ndërsa synimi deri në fund të këtij viti është të arrihet realizim prej 50 për qind.

“Vazhdojmë me ritëm të shtuar deri në realizimin përfundimtar të këtij projekti kapital infrastrukturor”, ka theksuar Ivanovski.