Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të së premtes ka nisur procesi i startimit të njësisë A4 të termocentralit “Kosova A”.
Sipas KEK-ut, gjatë këtij procesi pritet të ketë tym më të dukshëm nga oxhaku i termocentralit, ndërsa kjo fazë do të zgjasë rreth 3–4 orë.
“Startimi është fazë e domosdoshme teknologjike për rikthimin në operim të njësive që punojnë me linjit. Gjatë ngrohjes graduale të kaldajës dhe stabilizimit të procesit të djegies, tymi nga oxhaku mund të jetë përkohësisht më i dukshëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata ka kërkuar mirëkuptim nga banorët e Obiliqit dhe zonave përreth, duke pranuar se tymi i dukshëm mund të shkaktojë shqetësime.
“KEK e kupton shqetësimin që mund të shkaktojë tymi i dukshëm dhe kërkon mirëkuptimin e banorëve të zonës dhe të Komunës së Obiliqit gjatë kësaj faze”, thuhet më tej në njoftim.
Pas përfundimit të procedurave teknike, njësia A4 pritet të lidhet së shpejti me rrjetin elektroenergjetik dhe gradualisht të kalojë në operim të qëndrueshëm.
KEK-u nuk ka specifikuar në njoftim arsyen e ndërprerjes së mëparshme të operimit të kësaj njësie.
Burimi: botasot.info
