Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë nëntë të tjerë, pas një incidenti të ndodhur në fshatin Kameras, në aksin rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit.
Sipas policisë, grupi i personave ka tentuar të bllokojë rrugën, ndërsa ka hedhur vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore.
Arrestimi i dy shtetasve u bë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa nëntë të tjerët do të hetohen për “Prishje të qetësisë publike” mes tyre edhe 5 vajza.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. L., 28 vjeç, dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Gjithashtu, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
E. P., 33 vjeçe, D. G., 50 vjeç, O. D., 34 vjeç, M. C., 28 vjeçe, L. A., 24 vjeçe, I. R., 31 vjeç, N. S., 23 vjeçe, J. S., 25 vjeçe, të tetë banues në Tiranë, si dhe I. Ll., 27 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Këta shtetas, më datë 14.11.2026, rreth orës 10:00, në fshatin Kameras, në aksin rrugor Maminas–Gjiri i Lalzit, kanë tentuar të bllokojnë rrugën dhe kanë hedhur vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Burimi:botasot.info
