Biden: Kam besim të kufizuar te Netanyahu

Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka zbuluar se kishte besim të kufizuar te kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa ka mbrojtur vendimin për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në vitin 2021.

Sipas The Wall Street Journal, Biden reflekton mbi periudhën e tij në Shtëpinë e Bardhë në librin e ri me titull “Premto Me, America”, ku trajton disa prej vendimeve dhe sfidave kryesore të presidencës së tij.

Në libër, ish-presidenti amerikan mbron tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani, duke theksuar se beson se ishte vendimi i duhur. Ai shtoi se do të merrte të njëjtin vendim nëse do të gjendej sërish përballë rrethanave të ngjashme.

Biden bëri të ditur se Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, kishin shprehur shqetësime për pasojat që mund të sillte tërheqja e trupave.

Megjithatë, sipas tij, ishte siguruar se qeveria afgane do të ishte në gjendje të qëndronte në pushtet për të paktën gjashtë muaj pas largimit të forcave amerikane. Në realitet, qeveria u shemb brenda vetëm pak ditësh, ndërsa talebanët morën kontrollin e vendit.

Tërheqja amerikane u realizua në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në shkurt të vitit 2020 mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve, gjatë mandatit të parë të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në kujtimet e tij, Biden ndalet gjithashtu te marrëdhëniet me Benjamin Netanyahun, duke pranuar se gjatë presidencës së tij kishte pasur një nivel të kufizuar besimi ndaj kryeministrit izraelit.

Burimi:TV21