Aksioni “Rikthimi”, sekuestrohen mbi 37 kilogramë narkotik në vlerë 550 mijë euro, arrestohen pesë persona

Mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, me vlerë rreth 550 mijë euro, janë sekuestruar në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ndërsa pesë persona janë arrestuar, dy prej tyre shtetas të Turqisë.

Aksioni i koduar “Rikthimi” është realizuar pas një hetimi të zhvilluar nga institucionet e sigurisë, ndërsa gjatë tij janë kontrolluar pesë lokacione.

Përveç narkotikëve, janë sekuestruar para të gatshme, një veturë, telefona celularë, pajisje për presimin e drogës dhe prova të tjera materiale.

UD. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca, në një konferencë për media tha se aksioni është rezultat i një hetimi të nisur së fundmi, bazuar në informatat e siguruara nga AKI-ja.

“Mbrëmë Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar me sukses një aksion gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve shtetas të huaj. Dhe njëkohësisht janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë. Ky aksion është rezultat i një hetimi të filluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, falë profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Hetimi është konkretizuar me këtë rezultat brenda një afati rekord. Për këtë dua të falënderoj veçanërisht të gjithë të angazhuarit në këtë aksion, të cilët me profesionalizëm dhe me përgjegjësi kanë ruajtur konfidencialitetin e hetimit, çka ishte kyçe për suksesin e këtij aksioni. Prokuroria Speciale do të luftojë pa kompromis krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve, pavarësisht se kush qëndron prapa tyre. Në këtë përballje, prokurorët dhe hetuesit do të kenë mbështetjen time të plotë për zbatimin e ligjit dhe vënien para përgjegjësisë”, tha Paca.

Prokurori i rastit, Atdhe Dema, bëri të ditur se vlera e substancës së sekuestruar vlerësohet në 550 mijë euro, ndërsa lloji i saj do të konfirmohet pas analizave laboratorike.

“Si rezultat i veprimeve dhe hetimeve të ndërmarra, ashtu siç u cek, janë arrestuar pesë persona dhe është sekuestruar, e konfiskuar sasi  37 kilogramë, në vlerë prej 550 000 euro. Sasia e saktë e llojit të substancës do të konfirmohet pas verifikimeve të cilat do të bëhen dhe analizave të duhura. Megjithatë, dyshimi i parë është se bëhet fjalë për substanca narkotike, dhe atëherë të llojit heroinë. Bëhet fjalë për grup mirë të organizuar, si strukturë kriminale, dhe e cila lidhet me veprën penale të blerjes, shpërndarjes narkotikëve. Ndaj të dyshuarve, veçse është shqiptuar vendimi me ndalim prej 48 orëve dhe për këtë moment që flas me ju, jemi në fazën e përgatitjes së gjithë dokumentacionit të cilin e kërkon procedura penale që të vazhdohet tutje me procedurë”, tha Dema.

Detaje për mënyrën e funksionimit të grupit të dyshuar dhe gjetjet gjatë operacionit ka dhënë Reshat Murseli nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Kosovës. Ai tha se hetimet kishin nisur kohë më parë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe AKI-në.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Sektori Qendror i Hetimeve, në bashkërendim me PSRK-në, prokurorin e çështjes, zotin Dema, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Inteligjencë të Kosovës, kohë më parë e kemi nisur hetimin intensiv në ndjekje të një grupi kriminal nën dyshimin e bazuar se janë duke kryer vepra penale të cekura nga prokurorët e nderuar, që kanë të bëjnë kryesisht me veprat penale të narkotikëve dhe krimit të organizuar, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në bashkërendim të këtyre veprimeve me Prokurorinë Speciale dhe në mbështetje të AKI-së, për një periudhë të caktuar rekorde hetimore kemi mbledhur provat e mjaftueshme që e vërtetojnë dyshimin e bazuar të veprës penale dhe për këtë, më datën 3, kemi organizuar planin taktik-operativ të koduar ‘Rikthimi’”, tha Murseli.

Ai tregoi se në depo ishte gjetur një sasi e dyshuar narkotike në një qese najloni, si dhe 61 paketime të tjera të kamufluara në mallra komerciale. Një kilogram tjetër i dyshuar për heroinë ishte gjetur në njërën nga banesat e kontrolluara.

“Në depo fillimisht policia ka gjetur një sasi të drogës së dyshuar, e cila në testim rezultant ka dalë të jetë heroinë, e vendosur në një qese najloni, dhe më pas është gjetur edhe një sasi e drogës e ndarë në 61 paketime të prezantuara tani para jush, e cila ishte e kamufluar në një pako letre brenda disa mallrave komerciale. Po ashtu, në njërën nga banesat e bastisura, te i dyshuari i shtetësisë turke, është gjetur dhe konfiskuar edhe një sasi prej një kilogrami e dyshuar për heroinë. Domethënë, në total kemi gjetur 62 paketime në peshë totale mbi 37 kilogramë. Në vendin e ngjarjes, në depo, është identifikuar edhe një mjet, apo si themi ne, makinë presatimi, e cila shërben për presimin e drogës. Kjo lë për të kuptuar se të dyshuarit kanë pasur edhe qëllim të shtimit të sasive dhe përpunimit të saj, dhe i njëjti mjet konfiskohet si provë materiale. Në total, gjatë këtij operacioni policor u kontrolluan pesë lokacione të dyshuara dhe objekte përcjellëse. U arrestuan pesë të dyshuar, dy nga ta shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut, dhe dy shtetas shqiptarë të Kosovës”, tha ai.

Murseli bëri të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 5 mijë e 300 euro dhe 100 dollarë para të gatshme, një veturë, dhjetë telefona celularë, një pajisje DVR e kamerave të sigurisë, 15 fishekë të kalibrit 9 x 90 milimetra dhe një prerëse.

“Ndërsa në cilësi të provës materiale, përveç drogës heroinë që cekëm, 37 kilogramë, u sekuestruan para të gatshme në vlerë 5 300 euro dhe 100 dollarë. U sekuestrua një veturë e dyshuar e përfshirë në vepër penale, dhjetë telefona celularë, një DVR i kamerave, 15 fishekë të kalibrit 9 x 90 milimetra dhe një prerëse. Modus operandi i kësaj vepre penale, sipas hetimit që kemi zhvilluar, dyshohet se grupi kriminal sasinë e narkotikut e ka transportuar të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme”, tha Murseli.

Burimi: botasot.info