Projektligji kundër Dukurive Negative në Sport është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pa asnjë votë kundër.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, gjatë prezantimit të projektligjit para kabinetit qeveritar, tha se qëllimi i tij është krijimi i ambienteve të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë në sport.
Ai theksoi se projektligji obligon strukturat sportive që të zbatojnë rregullat për parandalimin, luftimin dhe sanksionimin e dhunës, si dhe dukurive të tjera negative në sport.
Gashani: Projektligj obligon strukturat sportive që të zbatojnë rregullat për parandalimin e dhunës në sport
“Më lejoni që ta paraqet para jush për miratim Projektligjin kundër Dukurive Negative në Sport i cili ka për qëllim zhvillimin e sportit dhe organizimin e ngjarjeve sportive në ambiente të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë. Ky projektligj obligon struktura sportive që të zbatojnë rregullat për parandalimin, luftimin dhe sanksionimin e dhunës si dhe dukurive të tjera në sport si dhe garantimin e standarteve të larta të rendit, sigurisë dhe shërbimeve gjatë organizimit dhe zhvillimit të ngjarjeve sportive. Gjithashtu parasheh mekanizma për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve, masa mbrojtëse dhe sanksione për mosrespektimin e detyrimeve ligjore”, tha Gashani.
Ministri shtoi se vëmendje e veçantë i kushtohet edhe promovimit të kulturës sportive, respektimit të vlerave dhe parimeve themelore të sportit, si dhe forcimit të standardeve për zhvillimin e përgjegjshëm të aktiviteteve sportive.
Gashani: Këto masa ndikojnë në reduktimin e dukurive negative në sport
“Vëmendje e veçantë i kushtohet poashtu promovimit të kulturës sportive të bazuar në respektimin e vlerave dhe parimeve themelore të sportit si dhe forcimi i standarteve që mundësojnë zhvillimin e rregullt dhe të përgjegjshëm të veprimtarive sportive. Vlerësojmë se masat e parapara me këtë projektligj do të ndikojnë drejtpërdrejtë në parandalimin dhe reduktimin e dukurive negative”, tha Gashani.
Projektligji parasheh mekanizma për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve, masa mbrojtëse dhe sanksione për strukturat që nuk i përmbushin detyrimet e përcaktuara me ligj.
Burimi: botasot.info
