Pas dorëheqjes nga detyra e kreut të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qendro ka reaguar me një mesazh falënderimi, ku ka renditur punët dhe rezultatet e arritura gjatë nëntë muajve në drejtimin e institucionit.
Ai u ndal te ristrukturimi i burimeve njerëzore, përmirësimi i imazhit të IKMT-së, ndëshkimi i ndërtimeve të paligjshme, bashkëpunimi me ARRSH-në për hapjen e kantiereve dhe pastrimin e akseve rrugore. Qendro përmendi gjithashtu kontrollet për sigurinë në kantieret e ndërtimit, duke theksuar se gjatë periudhës së drejtimit të tij nuk pati ngjarje tragjike në këto ambiente.
Ish-kreu i IKMT-së tha se një tjetër prioritet kishte qenë trajtimi i ankesave të qytetarëve, përfshirë edhe ato të mbartura prej vitesh, të cilat sipas tij kishin mbetur pa zgjidhje.
Qendro u shpreh se largohet nga detyra me respekt për institucionin dhe kënaqësinë që gjatë nëntë muajve janë realizuar punë konkrete dhe janë vendosur prioritete të qarta. Ai theksoi se puna e nisur duhet të vijojë edhe pas largimit të tij.
Burimi:botasot.info
