Këlliçi dënon ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dënoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar sot para Kryeministrisë, duke e akuzuar për përdorim të dhunës ndaj qytetarëve.

Në një deklaratë për mediet, Këlliçi u shpreh se efektivët kanë shoqëruar me forcë disa të rinj që po protestonin dhe ushtronin të drejtën e tyre për tubim paqësor.

“Edi Rama po dhunon, po merr zvarrë dhe po shoqëron qytetarët që po protestojnë në mënyrë paqësore para zyrës së tij. Edhe sonte banditët në uniformë morën me forcë vajza e djem, të cilët thjesht janë grumbulluar duke ushtruar të drejtën universale të protestës paqësore”, deklaroi Këlliçi.

Ai tha se Partia Demokratike dënon atë që e cilësoi si dhunë ndaj qytetarëve dhe kërkoi ndalimin e çdo forme represioni. Sipas tij, përgjegjësit do të duhet të japin llogari para drejtësisë.

“Partia Demokratike dënon me forcë ushtrimin e dhunës ndaj qytetareve dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të çdo forme represioni”, tha ai.

Këlliçi u bëri thirrje të rinjve dhe qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 28 nëntor, duke deklaruar se synimi është largimi i qeverisë Rama.

Burimi:botasot.info