Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në qytetin kinez Shenzhen. Të enjten pritet të ulet në të njëjtën tryezë me presidentin amerikan Donald Trump dhe me presidentin kinez Xi Jinping. Do të jetë takimi i parë ndonjëherë në këtë format mes udhëheqësve të tri fuqive më të mëdha bërthamore të botës.
Aeroplani i Putinit u ul në aeroportin Bao’an të Shenzhenit dhe televizioni rus e transmetoi drejtpërdrejt mbërritjen e tij. Lideri rus merr pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që mbahet më 18 dhe 19 nëntor. Megjithatë, ngjarja kryesore e javës do të jetë takimi trepalësh i së enjtes, më 19 nëntor.
Presidenti amerikan Donald Trump pas mbërritjes në Manila, ku merr pjesë në samitin e ASEAN-it para nisjes për në Shenzhen
Presidenti Trump ndodhet në Filipine, ku po merr pjesë në samitin e 49-të të ASEAN-it në Manila. Të mërkurën do të zhvillojë një vizitë shtetërore te presidenti filipinas Ferdinand Marcos dhe më pas do të nisë për në Shenzhen.
Pekini: Takim që hap rrugë të re
Ministria e Jashtme e Kinës e konfirmoi takimin trepalësh dhe e quajti atë një ngjarje me “rëndësi që hap rrugë të re”. Sipas Pekinit, tre udhëheqësit do të shkëmbejnë mendime për ruajtjen e paqes botërore dhe për stabilitetin strategjik mes fuqive të mëdha.
Edhe Moska po i jep takimit peshë të madhe. Këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Jurij Ushakov, deklaroi se “rëndësia dhe simbolika e këtij takimi vështirë se mund të mbivlerësohen”. Sipas tij, Putini dhe Trumpi do të vazhdojnë në Shenzhen bisedimet për të gjitha çështjet që lidhen me zgjidhjen e luftës në Ukrainë. Kremlini synon që takimi të përmbyllet me një komunikatë të përbashkët. Para takimit trepalësh, Putini dhe Xi do të takohen ballë për ballë të mërkurën. Sipas Ushakovit, ata do të flasin për situatën në Gadishullin Korean dhe për luftën në Ukrainë.
Çka kërkon Uashingtoni
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se fokusi i takimit do të jetë zvogëlimi i përhapjes së armëve bërthamore. Trump e ka quajtur denuklearizimin “temë të vështirë”. Ai tha se do të bisedohet edhe për Iranin dhe për Ukrainën. Kjo ndodh edhe pse një zyrtar amerikan kishte deklaruar gjatë fundjavës se Ukraina nuk pritej të ishte në agjendë. Një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi se presidenti synon ta ngrejë çështjen e Iranit. Trump tha gjithashtu se është i hapur për një takim vetëm me Putinin, por ende nuk dihet nëse një takim i tillë është caktuar.
Ky do të jetë takimi i tretë ballë për ballë i Trumpit me Xi Jinpingun këtë vit. Në maj Trump vizitoi Kinën, ndërsa në shtator lideri kinez u prit në Shtëpinë e Bardhë, ku dy vendet e zgjatën armëpushimin tregtar. Trump dhe Putin u takuan herën e fundit në Alaskë, në gusht të vitit 2025, por ai samit nuk solli armëpushimin në Ukrainë që kërkonte Uashingtoni.
I pyetur për skandalin që ka përfshirë gjigantin amerikan të çipave Nvidia, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se kjo çështje nuk do të hapet me Kinën: “Ne nuk i negociojmë kontrollet amerikane të eksportit”.
Kim Jong Un, mysafiri i mundshëm
Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë qëndrimit në Kinë. Pas mbërritjes në Azi, ai tha se Kimi “do të donte” të merrte pjesë, por shtoi: “Do të shohim çka do të ndodhë”.
Zelenski: Nuk duam Jaltë 2.0
Në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane takimi në Shenzhen po ndiqet me shqetësim. Ukraina frikësohet se mund të bisedohet për një marrëveshje pa praninë e saj. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, në një intervistë për CNN, paralajmëroi kundër ndarjes së sferave të ndikimit: “Është e rrezikshme kur Rusia dëshiron t’i fillojë këto diskutime me një infrastrukturë të re sigurie në Evropë. Ne nuk duam Jaltë 2.0. Nuk duam të ndahemi nga Rusia”. Me këtë ai iu referua Konferencës së Jaltës të vitit 1945, ku fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore e ndanë botën në sfera ndikimi.
Takimi vjen pak ditë pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, më 10 dhe 11 nëntor. Palët ranë dakord në parim për një shkëmbim të madh të të burgosurve, por nuk arritën asnjë përparim për territoret dhe për garancitë e sigurisë. Zelenski bëri të ditur se negociatorët amerikanë e ngritën për herë të parë pyetjen nëse Ukraina do të tërhiqej nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO. Kievi e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm t’i tërheqë trupat.
I dërguari amerikan Jared Kushner, i cili së bashku me Steve Witkoffin e informoi Putinin në Moskë për bisedimet, deklaroi se pa Evropën nuk mund të ketë marrëveshje: “Nuk mund ta përmbyllim këtë marrëveshje pa qenë evropianët në tryezë”. Sipas tij, lideri rus është treguar i gatshëm ta provojë këtë format.
Me luftërat në Ukrainë dhe me Iranin ende në vazhdim, takimi i së enjtes në Shenzhen pritet të jetë një nga ngjarjet diplomatike më të rëndësishme të vitit. Se çfarë do të dalë prej tij mbetet ende e paqartë.
Burimi:botasot.info
