​A do të kemi përballje Kosovë – Shqipëri në kualifikueset e Euro 2028?

Pas përfundimit të ndeshjeve të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, janë përcaktuar vazot për kualifikueset e Evropianit të vitit 2028, ku Kosova dhe Shqipëria gjenden në të njëjtën vazo.

Sipas formatit të shortit, 54 përfaqësueset do të ndahen në 12 grupe, ndërsa secila vazo do të kontribuojë me nga një kombëtare në grupet përkatëse. Rrjedhimisht, dy përfaqësueset shqiptare nuk mund të përfundojnë në të njëjtin grup kualifikues.

Kosova dhe Shqipëria do të jenë pjesë e vazos së tretë së bashku me Skocinë, Ukrainën, Poloninë, Rumaninë, Izraelin, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Islandën dhe Sllovakinë.

Në anën tjetër, Kosova nuk mund të përballet as me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, të cilat janë në vazon e dytë, për shkak të kufizimeve politike të vendosura nga UEFA për shortin.

Shorti i kualifikimeve për Euro 2028 do të mbahet më 6 dhjetor në Belfast, duke filluar nga ora 18:00.

Në këtë fazë do të formohen 12 grupe, gjashtë me nga katër kombëtare dhe gjashtë të tjera me nga pesë.

Kualifikimet do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2027.

Burimi: botasot.info