Prof. Dr. Metin Izeti, me anë të personazheve të edukuar, të lexuar dhe të ngritur tetovarë, të Ibrahimit, Dritës, Valonit, Shpresës, Mehmetrizait, Hadiut me origjinë nga fshati Bozovcë dhe të fejuarit të Shpresës, Vegimit, i cili jeton dhe studion në Universitetin e Tübingenit të Gjermanisë, që është ndër qendrat më të bukura dhe më me zë në Evropë, me lumin e bukur Nekar, ku një e treta e popullsisë janë studentë.
Personazhet në roman paraqiten nga tre vendet e Tetovës, nga Balltepe – Kalaja e Tetovës, nga fshati i thellë i Bozovcës dhe shtëpia e Ibrahimit, Mehmetrizait dhe banesa e Vegimit në Tübingen.
E veçanta e romanit “Shpresë për jetë” të Metin Izetit është se personazhet e romanit merren jo me botën politike, ekonomike e sociale të kësaj jete kalimtare, por, me anë të përpjekjeve të autorëve mistikë, siç janë Mevlana Xhelaludin Rumi dhe Ibn Arabia, për t’u kthyer te origjina e së vërtetës.
Me anë të bisedave të urta të personazheve vërehet se “Shpresë për jetë” tejkalon tri gjinitë letrare: lirikën, epikën e dramatikën. Është një lloj i veçantë i letërsisë, një frymë dhe një qëllim që kalon nëpër shumë gjini. Është roman urtësie që fsheh një të vërtetë të thellë morale ose shpirtërore, që janë shumë të pranishme në Kur’an, pse jo edhe në Bibël.
Në teorinë e letërsisë njihet si letërsi e urtësisë. Në roman lexojmë fjali të shkurtra dhe të thukta të Rumiut, Ibn Arabiut etj., që përmbledhin përvojë të madhe jetësore dhe shpirtërore, shprehin botën e brendshme për të njohur veten, jo të tjerët, shprehin kthimin te origjina e shpirtit, te Zoti.
Me anë të personazheve të ngritur e të urtë, autori Metin Izeti nuk ka si qëllim kryesor bukurinë e jashtme artistike, por përjetimin e gjendjes. Jeta nuk jetohet jashtësisht, por përjetohet brendësisht. Jetë është të njohësh veten, krijimin, origjinën, të vërtetën, Zotin.
Letërsia artistike kërkon të bukurën.
Letërsia e urtësisë kërkon të vërtetën, të ndihmon të jetosh më mirë?
Romani i prof. Metin Izetit është në kufi mes letërsisë, filozofisë, fesë.
“Shpresë për jetë” është roman që të ndihmon për të qenë i mirë dhe i lumtur, jo për të qenë i bukur e i pikëlluar.
Disa fragmente të romanit “Shpresë për jetë”:
“Dhe ndërsa mendja i endej tek i dashuri Vegimi, ajo kujtoi se si ai i kishte thënë një herë: ‘Njeriu i lashtë ndërtonte tempuj sepse shihte hyjninë në gjithçka; njeriu modern ndërtonte qendra tregtare sepse i sheh të gjitha si mall.'” Romani “Shpresa për jetë”, fq. 15.
“Bija ime, njeriu modern është si një kalorës që ka humbur kalin, ai ecën në këmbë dhe mendon se përparon, por në të vërtetë ka humbur shpejtësinë e shpirtit.” Fq. 20.
“Stuhia nuk i pyet pemët nëse jeni gati. Ajo vjen thjesht. Dhe pemët që mbijetojnë nuk janë ato më të mëdhatë, por ato që kanë rrënjët më të thella. Prandaj mos u mundo të jesh i madh – mundohu të jesh i thellë.” Fq. 51.
“Zbrazëtia është formë, forma është zbrazëti.” Fq. 63-64.
“Ajo më ka mësuar mua se shtëpia nuk është një vend gjeografik. Shtëpia është një gjendje shpirtërore.” Fq. 85.
“Ti je mësuar të mendosh gjithçka. Unë jam mësuar të ndiej gjithçka. Ndoshta kjo është arsyeja pse jemi të mirë bashkë – ti mendon atë që unë ndiej, dhe unë ndiej atë që ti mendon.” Fq. 89.
Letra thoshte:
“Shpresa ime e ëmbël, …,
Ti më ke mësuar se feja nuk është një ideologji, por një gjendje. Se besimi nuk është një përgjigje, por një rrugë. Se dashuria nuk është një ndjenjë, por një vendim që merret çdo mëngjes.” Fq. 92.
“Dali im ndërtoi pallat, por unë ndërtova shtëpi. Pallati është për t’u treguar të tjerëve. Shtëpia është për të jetuar.” Fq. 94.
“Njeriu modern nuk ndalet më. Ai lëviz gjithnjë, por nuk shkon askund.” Fq. 98.
“Shkolla e zemrës nuk jep diploma, por jep jetë.” Fq. 99.
“Perla e zemrës nuk zbulohet duke lexuar libra, por duke e ulur veten në atë thellësi me përulësinë e atij që nuk ka frikë nga errësira.” Fq. 113.
“Sepse të jesh perla e vulës do të thotë që pa ty, vula nuk ka kuptim.” Fq. 116.
“- Nënë, ndonjëherë mendoj se feja nuk është për të ikur nga realiteti, por për të qëndruar në të pa u thyer.” Fq. 119.
“… ajo mund të jetonte në mes, në atë pikë takimi ku hija kujton dritën dhe drita u bë hijen të dukshme.” Fq. 120.
“‘Realiteti i Qenies’, mendoi ajo, nuk është diçka që e zbulojmë me mendje. Është diçka që e zbulojmë me zemër. Mendja na tregon se si funksionon bota. Zemra na tregon se pse ekziston. Pa zemër, ne jemi si kompjuter – shumë informacione, zero kuptim.” Fq. 121-122.
“Të njohësh Zotin nuk do të thotë të dish gjithçka për Të. Të njohësh Zotin do të thotë të ndjesh se je i njohur prej Tij. Dhe kur e ndjen këtë, nuk ke më frikë as nga jeta, as nga vdekja.” Fq. 122.
“Ajo kujtoi një thënie të Rumiut që Vegimi ia kishte lexuar një herë: ‘Dashuria nuk është të shikosh njëri-tjetrin, por të shikosh së bashku në të njëjtin drejtim.'” Fq. 134.
“Shpresa e dinte se çdo ndarje është një lloj vdekje. Por edhe çdo pritje është një lloj ringjallje.” Fq. 139.
“Dashuria nuk ka nevojë për prezencë fizike. Ka nevojë për kujtesë.” Fq. 141.
“Lumturia, vajzë, nuk është vend. Është gjendje.” Fq. 146.
“Në Tetovë, unë isha vajza e Ibrahimit, shoqja e dikujt, shpresa e dikujt. Këtu, unë jam thjesht – Shpresa.” … “Vetmia e lirë nuk është ikje nga të tjerët. Është kthim te vetja.” Fq. 164.
“Se lumturia nuk është të kesh, por të jesh.” Fq. 166.
“Ibn Arabiun që kishte lexuar aq shumë herë: ‘Vdekja është ura që lidh krijesën me të Vërtetin.'” Fq. 175.
“- Dhe çfarë është e rëndësishme?
Të duash, të falësh. Të mos mbash inat. Të thuash të vërtetën. Dhe të mos kesh frikë nga vdekja. Pjesa tjetër – puna, paraja, mendimet e të tjerëve – janë si pluhuri në rrugë.” Fq. 179.
“Origjinaliteti i njeriut është në shpirtin e tij, kurse vendlindja e vërtetë e shpirtit është Hyjnia.” Fq. 180.
“Unë jam ai naj, i tha vetes, e prerë nga kallami i Bozovcës, e shkulur nga toka që gjyshi im kishte mbjellë penë.” Fq. 180-181.
“Dhe kjo është arsyeja pse njeriu nuk qetësohet kurrë plotësisht në këtë botë. Sepse nuk është shtëpia e tij e vërtetë.” Fq. 184.
“Ti je mali dhe ti je malli, Ti je kodra dhe ti je ngjitja. Kërkimi dhe i kërkuari janë një.”
“Atë natë, Shpresa shkroi në ditarin e saj: ‘Rumi më ka mësuar se vdekja nuk është armik. Ashtu si lindja nuk ishte armik. Të dyja janë dyer. Njëra hyrje, tjetra dalje. Dhe ne jemi vetëm kalimtarë.'” Fq. 190.
Burimi: Botasot
