Iniciativat dhe shoqatat në Gjermani po i kundërshtojnë shkurtimet e planifikuara që arrijnë në miliona për punën e synuar për të forcuar demokracinë. Qeveria federale gjermane po planifikon masa drastike për uljen e kostove në projektbuxhetin e saj aktual për vitin 2027. Në total, programi i financimit ‘Demokratie leben'(Të jetosh demokracinë) i Ministrisë së Çështjeve Familjare do të marrë 170 milionë euro.
Kjo do të ishte e bararabartë me rreth 20 milionë euro më pak se në vitin aktual. Projektbuxheti u miratua me votat e koalicionit qeverisës që përbëhet nga konservatorët dhe socialdemokratët.
Shumë organizata i konsiderojnë këto shkurtime si sinjal fatal. Tahera Ameer, nga Fondacioni Amadeu Antonio, e sheh vetë ekzistencën e shumë nismave në Gjermani nën kërcënim. “Përballë nxitjes së antisemitizmit,dhunës së hapur dhe legjitimimit në rritje të kësaj normalizimi, është shqetësuese që vetë strukturat dhe financimet që i kundërvihen kësaj tani janë në prag të zhdukjes,” deklaroi Ameer në një konferencë të përbashkët shtypi me organizata të tjera.
Dëm afatgjatë për demokracinë në Gjermani?
Sipas këtyre iniciativave, puna për të nxitur demokracinë rrezikon të pësojë dëme afatgjata, pasi strukturat e konsoliduara nuk mund të rindërtohen lehtë pasi të jenë shkatërruar.
Ajo që i zemëron veçanërisht shumë organizata është se këto shkurtime vijnë në një kohë kur e djathta ekstreme në Gjermani po feston suksese të shumta zgjedhore. Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila është pjesërisht e djathtë ekstreme, ka arritur rezultate rekord në vitin 2026 në disa zgjedhje rajonale, përfshirë ato në landin federal Saksoni-Anhalt. “Pikërisht për shkak të mundësisë që AfD-ja të marrë pushtetin në Saksoni-Anhalt, na duhen këto struktura më urgjentisht se kurrë,” paralajmëron Tahera Ameer, anëtare e bordit të fondacionit Amadeu Antonio.
Financimi i demokracisë ka qenë një burim polemikash në Gjermani për vite me radhë. Ndërsa iniciativa dhe shoqata kërkojnë rregullisht rritje të financimit, disa politikanë konservatorë kritikojnë mënyrën e supozuar të njëanshme se si ndahen fondet.
Gjatë një debati në Bundestag në mars 2026 për programin e financimeve, kristjandemokrati Marvin Schulz imbështeti ndryshimet në program të propozuara nga ministrja e Familjes, Karin Prien, gjithashtu nga CDU: “Na duhen prioritete të reja,” kërkoi ai. Sipas tij, projektet që luftojnë islamizmin ekstremist dhe antisemitizmin janë të nënpërfaqësuara.
Megjithatë, projektet që luftojnë antisemitizmin gjithashtu do të marrin më pak financime në të ardhmen. Komiteti Qendror i Katolikëve Gjermanë (ZdK) kritikoi shkurtimet buxhetore për Qendrën e Kërkimit dhe Informacionit mbi Antisemitizmin (RIAS), qendrën kombëtare këshilluese kundër dhunës dhe diskriminimit antisemit (OFEK) dhe Aleancën Kombëtare kundër armiqësisë ndaj Islamit dhe myslimanëve (CLAIM).
ZdK i bëri thirrje qeverisë federale të mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e jetëve të hebrenjve dhe myslimanëve dhe ta sigurojë këtë si në aspekt strukturor, ashtu edhe financiar. Shkurtimet e planifikuara do të kishin efektin e kundërt dhe do të dërgonin një sinjal fatal për një shoqëri të larmishme dhe demokratike.
AfD: ‘Program i së majtës për të konsoliduar pushtetin e saj’
AfD shkon edhe më tej në kritikën e saj: ajo kërkon pezullimin e plotë të financimit dhe e përshkruan atë si ‘një program i së majtës për të konsoliduar pushtetin e saj’.
Nëse AfD vjen në pushtet në Saksoni-Anhalt, partia ka njoftuar shkurtime të thella. Ajo synon të eliminojë plotësisht Qendrën me emër Rajonale për Edukim Politik dhe të tërheqë të gjitha financimet rajonale nga organizata të shumta.
AfD, e klasifikuar në Saksoni-Anhalt si një parti e ekstremit të djathtë, synon të emërojë për herë të parë kryetarin e saj rajonal Ulrich Siegmund si kryeministër, që në dhjetor 2026.
Në Ministrinë Federale për Çështjet e Familjes, një zëdhënës, kur u pyet nga DW për shkurtimet, iu referua masave të nevojshme të konsolidimit buxhetor. Qëllimi është “të vazhdohet programi i financimit në mënyrë të besueshme edhe në vitin 2027 dhe të arrihet ndikimi sa më i madh i mundshëm, si dhe një shtrirje e gjerë, me fondet e disponueshme”.
Megjithatë, një aleancë e iniciativave të ndryshme nuk është ende gati të dorëzohet dhe po kërkon një ndryshim kursi në politikën e financimeve: në vend që të zbatohen shkurtimet, financimi duhet të rritet me 50 milionë euro.
A i jepet prioritet i mjaftueshëm punës për mbështetjen e demokracisë?
“Puna për nxitjen e demokracisë duhet të financohet,” paralajmëron Tahera Ameer nga Fondacioni Amadeu Antonio. “Është një prioritet që ne aktualisht nuk e shohim. Dhe kjo është shumë shqetësuese.”
Shumë iniciativa theksojnë se pasojat e shkurtimeve nuk do të jenë abstrakte. Lina Mitschke frikësohet se ato do të kenë pasoja shumë konkrete për njerëzit që përballen me diskriminim në Gjermani. Ajo është drejtoresha ekzekutive e shoqatës me bazë në Berlin ‘Each One Teach One’ (EOTO), një organizatë që lufton racizmin dhe punon me njerëz me origjinë afrikane. “Nevojat nuk kanë zhdukur. E vetmja gjë është se, nga janari e tutje, nuk do të ketë askënd ku t’i drejtohesh siç duhet, askënd që t’u përgjigjet telefonit apo t’u përgjigjet email-eve kur dikush ka nevojë për ndihmë.”
Për organizata të tilla si EOTO, shkurtimet e planifikuara përbëjnë një pengesë të madhe. Në vitet e fundit, ata kishin arritur të tërhiqnin vëmendje gjithnjë e në rritje ndaj realitetit të përditshëm të njerëzve me ngjyrë në Gjermani. “Këto shkurtime mohojnë përvojat e më shumë se një milion njerëzve me prejardhje afrikane në Gjermani,” ankohet Lina Mitschke.
Iniciativat kanë për qëllim të luftojnë deri në çastin e fundit për të sjellë një ndryshim kursi në politikën e financimit. Ata argumentojnë se puna për demokracinë është ajo që e mban shoqërinë të bashkuar. / DW
Burimi:botasot.info
