Mexhiti: “Çairi në ritmin e shëndetit” sjell mjekët më pranë qytetarëve me ligjërata dhe këshillime falas
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim pune me mjekët e përfshirë në platformën “Çairi në ritmin e shëndetit”, në të cilin u dakorduan aktivitetet e radhës që do të realizohen në kuadër të kësaj nisme. Duke filluar nga java e ardhshme, në objektin e Komunës së Çairit do të organizohen ligjërata publike me pediatër, gjinekologë, mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të fushave të ndryshme, të cilët do të ndajnë këshilla profesionale dhe informacione për ruajtjen e shëndetit dhe rëndësinë e parandalimit. Paralelisht, ekipet mjekësore do të vazhdojnë të jenë çdo ditë të pranishme në parqet e Çairit me stenda informuese, ku qytetarët do të mund të marrin këshilla shëndetësore, të matin tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit në gjak, si dhe të informohen mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta. “Qëllimi ynë është ta afrojmë kujdesin shëndetësor sa më pranë çdo qytetari. Përmes kësaj platforme po ndërtojmë një kulturë të parandalimit dhe po krijojmë mundësi që qytetarët të marrin këshilla profesionale dhe shërbime bazë shëndetësore në komunitetin e tyre,” deklaroi Mexhiti.