Saturday, May 2, 2026

Lajmi në kohë reale

Izet Mexhiti: Me një vlerë prej 42 milionë eurosh, ky projekt është investimi më i madh në arsimin shqip në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Komuna e Çairit, Izet Mexhiti, gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të kampusit të ri të Universiteti Nënë Tereza në Shkup, theksoi se ky projekt përbën investimin më të madh në arsimin shqip në Maqedonia e Veriut.

Sipas Mexhitit, ndërtimi i kampusit modern universitar është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe krijimin e kushteve më të mira për studentët dhe stafin akademik.

Ai bëri të ditur se vlera e këtij investimi arrin rreth 42 milionë euro dhe pritet të sjellë infrastrukturë bashkëkohore universitare, e cila do të përfshijë hapësira moderne për mësim, kërkim shkencor dhe aktivitete studentore.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për arsimin shqip në vend. Kampusi i ri i Universitetit ‘Nënë Tereza’ do të krijojë kushte shumë më të mira për studentët dhe do të kontribuojë në zhvillimin e arsimit të lartë në vend”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, investime të tilla janë thelbësore për të rritur cilësinë e arsimit dhe për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë, duke i afruar standardet e arsimit të lartë me ato evropiane.

Ndërtimi i kampusit të ri pritet të përfshijë objekte moderne universitare, laboratorë, amfiteatro, biblioteka dhe hapësira të tjera akademike, duke e bërë universitetin një qendër të rëndësishme të arsimit dhe kërkimit shkencor në vend.

Autoritetet theksojnë se projekti synon jo vetëm përmirësimin e kushteve për studentët aktualë, por edhe rritjen e kapaciteteve të universitetit për gjeneratat e ardhshme të studentëve.

Fjalimi i plotë:

I nderuar kryeminister Hristijan Mickovski,
I nderuar zv kryeminister i pare Bekim Sali,
I nderuar rektor,
Te nderuar funksionare,
Shume te dashur studentë,

Sot po vendosim gurthemelet e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”.

Ky është një moment historik.

Sepse sot po vendosim themelet e një kapitulli të ri për arsimin shqip dhe për të ardhmen akademike të shqiptarëve.

Me një vlerë prej 42 milionë eurosh, ky projekt është investimi më i mëdh në arsimin shqip, në Maqedoninë e Veriut, dhe nga investimet më të mëdha rajon. Por pesha e tij shkon shumë përtej shifrave dhe përtej dimensionit të një projekti ndërtimor.

Këtu po ndërtohet një kampus universitar i standardeve më moderne, i konceptuar për të përmbushur kërkesat e arsimit bashkëkohor dhe të kërkimit shkencor.

Ky kampus do të përfshijë laboratorë të avancuar kërkimorë, biblioteka universitare me fonde të pasura akademike dhe me akses digjital ndërkombëtar, qendra inovacioni dhe teknologjie, hapësira bashkëpunimi për studentë dhe profesorë, salla të mëdha konferencash për aktivitete shkencore ndërkombëtare, ambiente moderne studimi dhe infrastrukture digjitale që lidh universitetin me rrjetet globale të dijes.

Studentët do të kenë kushte studimi sipas standardeve europiane. Profesorët do të kenë hapësira kërkimi dhe zhvillimi shkencor. Universiteti do të jetë një qendër ku prodhohet dije, ku zhvillohen ide dhe ku ndërtohet e ardhmja.

Por rëndësia e këtij projekti nuk qëndron vetëm në arkitekturë dhe infrastrukturë.

Ky kampus e shndërron Shkupin e Çairin, në një qendër të rëndësishme universitare.

Kjo do të thotë më shumë mundësi për studentët tanë.

Më shumë dije.
Më shumë kërkim shkencor.
Më shumë zhvillim intelektual.
Më shumë dinjitet akademik për gjuhën dhe arsimin shqip.

Kjo do të thotë që të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi të studiojnë në një universitet modern, edhe në gjuhën e tyre, në kushte që i përgatisin për tregun global të dijes dhe të ekonomisë.

Ky kampus është konceptuar që të jetë shumë më tepër se një vend ku mbahen ligjërata.

Ky do të jetë një hapësirë ku prodhohet dije.
Një hapësirë ku lindin ide.
Një hapësirë ku zhvillohen kërkime që i japin drejtim të ardhmes.

Kjo është arsyeja pse ky projekt ka një dimension shumë më të madh se çdo investim tjetër publik.

Të nderuar,

Ndihem pafundësisht krenar, që pata fatin historik të realizojë këtë aspiratë të popullit shqiptar në këtë nënqiell.

Sepse investimet në arsim janë investimet që ndërtojnë të ardhmen e një kombi.

Rrugët ndërtojnë lidhje mes qyteteve.
Por, universitetet ndërtojnë lidhje mes brezave.

Rrugët i përdorim sot.
Universitetet krijojnë të ardhmen për dekada.

Rrugët ndërtojnë ekonomi.
Universitetet ndërtojnë mendje.

Prandaj investimet në universitete kanë një dimension shumë më të thellë se çdo investim tjetër.

Sepse aty ku ndërtohen universitete, ndërtohet fuqia intelektuale e një kombi.

Aty ku ndërtohen universitete, ndërtohet elita akademike dhe profesionale e shoqërisë.

Aty ku ndërtohen universitete, ndërtohet identiteti kulturor dhe gjuhësor i një populli.

Historia e një kombi nuk shkruhet vetëm në libra. Historia shkruhet edhe me gurë.

Me gurët e shkollave.
Me gurët e universiteteve.
Me gurët e institucioneve që mbrojnë gjuhën, dijen e një populli.

Dhe sot, këtu në Shkup, po vendosim një nga ata gurë që do të mbajë mbi vete peshën e së ardhmes.

Universiteti “Nënë Tereza” do të jetë një qendër e fuqishme e dijes, e kërkimit shkencor dhe e zhvillimit akademik.

Nga kjo qender universitare do të dalin mjekët që do të kujdesen për shëndetin e shoqërisë.

Inxhinierët që do të ndërtojnë zhvillimin ekonomik.

Ekonomistët që do të drejtojnë transformimin ekonomik.

Juristët që do të mbrojnë drejtësinë.

Shkencëtarët që do të krijojnë dije të re.

Pedagogët që do të edukojnë brezat e ardhshëm.

Këtu do të formohen liderët e së nesërmes.

Këtu do të ndërtohet kapitali më i rëndësishëm i një shoqërie: kapitali intelektual.

Prandaj kjo ditë shënon fillimin e një kapitulli të ri.

Sepse një vend që investon në arsim, investon në fuqinë e vet më të madhe.

Sot vendosim gurthemelet e një kampusi universitar.

Por në të njëjtën kohë po vendosim themelet e një të ardhmeje më të fortë për rininë tonë, për arsimin dhe për gjithë shoqërinë.

Dhe shumë vite nga sot, kur mijëra studentë do të kalojnë nëpër këtë kampus, kur profesorë dhe studiues do të zhvillojnë kërkime dhe ide të reja, kur breza të tërë profesionistësh do të dalin nga këto auditore, atëherë do të kujtohet kjo ditë.

Dita kur u vendosën gurët e parë të një projekti që e çoi arsimin shqip në një nivel më të lartë.

Dita kur u hodhën themelet e një institucioni që do të ndikojë për dekada në zhvillimin e shoqërisë sonë.

Do ta kujtojmë këtë ditë, sepse sot po ndërtojmë një pjesë të historisë sonë.

Ju falemnderit!

Latest Posts

Mos e humb lajmin