Tuesday, April 21, 2026

Lajmi në kohë reale

Dita Botërore e Ujit, Hoxha: Uji, themel i zhvillimit ekonomik

Uji është themel i zhvillimit ekonomik, ndërsa menaxhimi i drejtë krijon mundësi për të gjithë, deklaroi ministri Muhamet Hoxha në shënimin e Ditës Botërore të Ujit në Shkup.

“Mesazhi i këtij viti për ditën botërore të ujit na kujton se uji është themel i zhvillimit ekonomik ku menaxhohet në mënyrë të drejtë, krijon mundësi për të gjithë ne, prandaj ajo që sot konkretisht po e bëjmë ka shumë rëndësi. Ambasada e Zvicrës në vendin tonë është një partner i fortë për menaxhim, shfrytëzim dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësorë. Përmes këtij programi forcojmë kapacitetet institucionale, promovojmë menaxhimin e qëndrueshëm dhe punojmë drejt standardeve evropiane.”, – deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamet Hoxha.

Në ngjarje u prezantua raporti i përkohshëm për menaxhimin e ujërave nga pellgu i Vardarit, i cili do të shërbejë si bazë për Planin e parë gjashtëvjeçar.

Raporti analizon shkaqet që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ujërave dhe përcakton objektivat dhe masat prioritare për menaxhim më të mirë, ndërsa përfundimet e konsultimeve do të përdoren për një dokument strategjik të harmonizuar me standardet evropiane.

“Për herë të parë institucionet përfshihen në një dialog të strukturuar kombëtar për sfidat që lidhen me ujin. Kjo paraqet një hap të fortë demokratik. Duke ftuar qytetarët, institucionet dhe palët e interesuara të përfshihen, vendi vendos themelet për përgatitjen e Planit të parë për menaxhimin e pellgjeve lumore të harmonizuar me standardet e BE-së dhe për zbatimin e Direktivës Kornizë për Ujërat.”, – theksoi ambasadori i Zvicrës, Kristof Zomer.

Ngjarja u mbajt në kuadër të Programit për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave, të mbështetur nga Zvicra dhe të realizuar në partneritet me ministritë përkatëse. Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe performanca artistike e Sharlot Kin, e cila përmes paraqitjes së saj theksoi rëndësinë e ujit si element thelbësor për jetën.

Në kuadër të ngjarjes u mbajt edhe një panel-diskutim i kushtuar lidhjes mes menaxhimit të ujërave dhe barazisë gjinore, si temë globale e këtij viti për Ditën Botërore të Ujit.

Latest Posts

Mos e humb lajmin