Shkup, 19 nëntor – Së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për alarmet e rreme për bomba të cilat për një kohë të gjatë shkaktojnë huti në opinion, ndërsa filluan me autobusët e NQP-së, ndërsa vazhduan me shkollat e mesme, paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Siç thashë edhe para disa ditësh jemi në përfundim të sigurimit të të gjitha materialeve dhe provave që të kemi realizim edhe në këtë pjesë”, tha Spasovski në paraqitjen e djeshme në emisionin “Klik plus” në TV 21, duke shtuar se analizat për shkaqet janë në disa kahe, nga interesat gjeostrategjike, përmes atyre politike e ekonomike ose të nxitura nga interesa biznesore.
Sipas Spasovskit, duke pasur parasysh se qëllimi i sulmeve të tilla hibride është të shkaktojnë ankth, mosbesim në institucione, frikë dhe panik, nuk duhet spekuluar, por duhet pritur derisa të merren të gjitha informatat e konfirmuara me fakte dhe dëshmi.
Lidhur me gjetjet nga hetimi, siç informojnë nga MPB, Spasovski ka sqaruar se më së shumti bëhet fjalë për adresa VPN, ndërsa kur do të përfundojnë të gjitha kontrollet dhe të vërtetohen faktet, do të identifikohen edhe autorët por edhe masat që kundër tyre do të ndërmerren.
“Në hetimin kemi bashkëpunuar me të gjithë partnerët tanë, me Interpolin, Europolin, të gjithë mekanizmat që ndihmojnë në procesin hetimor. Është e sigurt se ekziston motiv, ndërsa në fund do të shohim saktësisht se cili ka qenë motivi”, theksoi Spasovski.