GazetaMax
Lajme

Rrugët e drogës në Ballkanin Perëndimor – sa kushton dhe cili vend konsumon më së shumti?

Shkup, 26 Nëntor – Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogës ka publikuar një raport rajonal për përdorimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Ballkanin Perëndimor.

Raporti theksoi se rajoni po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shpërndarjen e drogës drejt Bashkimit Evropian.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet në udhëkryqin që lidh disa rrugë kryesore të trafikut të drogës, më së shpeshti kanabis, kokainë, heroinë dhe droga sintetike. Raporti thekson se rrjetet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë bërë lojtarë kyç në tregun e drogës në Bashkimin Evropian.

Shkak për këtë ndër të tjera është edhe pozicioni gjeografik i Ballkanit Perëndimor, i cili është veçanërisht i përshtatshëm për heroinën, prandaj përmes këtij rajoni kalon rruga e njohur ballkanike për heroinën. Situata e keqe e brendshme ligjore, e cila lidhet veçanërisht me korrupsionin, është edhe një nga arsyet pse tregtimi i narkotikëve po “lulëzon” në rajon.

Përdorimi total i drogës në rajon është më i ulët se në Bashkimin Evropian fqinj. Nga të dhënat e disponueshme, u konstatua se kanabisi përdoret më së shumti në Ballkanin Perëndimor, i ndjekur nga kokaina.

Duke hulumtuar të rinjtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, u konstatua se 54 për qind e tyre përdorin kanabis në Shqipëri dhe 34 për qind në Kosovë. Shkalla e përdorimit është më e ulët në Serbi (7 për qind) dhe Mal të Zi (9 për qind). Vaji ose ekstrakti i kanabisit ishte më i popullarizuari në Maqedoninë e Veriut (27 për qind), ndërsa vendet e tjera raportuan 10 për qind ose më pak përdorues të vajit të kanabisit.

Kanabisi më i lirë shitet në Shqipëri, ndërsa më i shtrenjtë në Serbi. Përafërsisht 1.2 gram kanabis në Shqipëri mund të blihet me katër euro, ndërsa 10 gramë është 30 euro. Çmimi i shitjes me shumicë ndryshon në varësi të faktit nëse kanabisi prodhohet brenda apo jashtë. Një kilogram është afërsisht 1300 euro, ndërsa në Serbi 2300 euro.

Kur bëhet fjalë për kokainën, shumica e të rinjve e kanë provuar këtë drogë në Mal të Zi, dhe vendpushimet verore në atë vend dhe qendrat e skive si Jahorina shfaqen në raport si qendrat kryesore në Ballkanin Perëndimor për konsumimin e kokainës.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi thuhet se gjysmë gram kokainë mund të blihet nga 40 deri në 50 euro. Përveç kësaj, në Mal të Zi është e mundur të blihet “line” për rreth pesë deri në 10 euro. Në Kosovë, 0.6 gram shitet për rreth 55 deri në 60 euro.

Rruga tokësore ballkanike për heroinën fillon nga Afganistani përmes Iranit, Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është rruga më e shkurtër dhe më e drejtpërdrejtë që heroina të arrijë në Evropë. Ai gjithashtu mund të hyjë në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga Bullgaria përmes Serbisë ose Maqedonisë së Veriut për transport të mëtejshëm në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, por dërgesat mund të hyjnë në rajon edhe nga Greqia.

Çmimi mesatar me pakicë i heroinës në rajon ndërmjet viteve 2018 dhe 2020 u raportua si 20 euro për gram. Çmimin mesatar më të ulët e ka Maqedonia (16.5 euro), ndërsa Serbia më e larta (21.5 euro). Në Kosovë heroina shitet në sasi të vogla prej 0.25 gram për pesë euro. Një praktikë e ngjashme e shitjes me pakicë është vërejtur edhe në Serbi, ku 0.2 gram është rreth 7-8 euro. 

Related posts

Zjarri vazhdon të përhapet në malin e rajonit të Kërçovës

Gazetamax.mk

Sterjovski: President maqedonas i Shqipërisë, pse jo, në Mal të Zi zgjodhën për kryeministër një shqiptar

Gazetamax.mk

“Përforcimi në krizë: roli i politikave” – konferencë e BP dhe BEI për 30 vjet pavarësi monetare

Gazetamax.mk