GazetaMax
Lajme

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ju drejtohet qytetarëve për fundvit

Tetovë, 31 Dhjetor – Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami përmes një videopostimi u është drejtuar qytetarëve me rastin e festave të fundvitit.

Viti 2022 ishte vit i vështirë dhe me shumë sfida, duke filluar nga kriza ekonomike, energjetike, trazirat në Ballkanin Perëndimor e deri tek lufta në Ukrainë, gjegjësisht agresioni rus mbi këtë shtet sovran. Ky kontekst i vështirë dhe me shumë probleme edhe brenda Maqedonisë së Veriut, ka dimensionuar edhe veprimin politik të Lëvizjes Besa. Pikërisht, në kuadër të këtyre dinamikave politike, ekonomike dhe sociale, Lëvizja Besa është angazhuar në çdo moment për të mirën e qytetarëve të vendit dhe në veçanti për kërkesat e popullit shqiptar. Në çdo moment kemi përcjellë punën e qeverisë dhe kemi reaguar dhe reflektuar politikisht mbi të gjitha dështimet e saj në të gjitha nivelet. Përgjatë gjithë këtyre sfidave qeveria ka dështuar në të gjitha drejtimet, duke mos përmbushur asnjë premtim të dhënë. Për arsye që dihen kjo qeveri nuk është legjitime dhe nuk ka legjitimitetin të udhëheq me vendin. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është edhe një dëshmi për dështimin e qeverisë, e cila jo vetëm që nuk e luftoi krimin dhe korrupsionin, por përkundrazi e motivoi politikisht duke zgjedhur figurat më të dështuara në vendet kyçe të drejtësisë për të cilën gjë flasin edhe organizatat ndërkombëtare të cilat e rendisin Maqedoninë e Veriut në mesin e shteteve me shkallën më të lartë të korrupsionit.

Të dashur qytetarë,

Lëvizja BESA me politikat e saja do të vazhdojë të luftojë për të drejtat dhe mirëqenien e shqiptarëve në vend, pasi prioriteti ynë është përmirësimi i jetës së qytetarëve. Ne në asnjë rast nuk do të lëvizim nga kërkesat tona, prandaj jemi të bindur dhe të vendosur për të rezistuar fortë ndaj çdo vështirësie dhe sfide me të cilat do të përballemi. Lëvizja BESA do të jetë gardian i çdo qytetari shqiptar, gardian i të drejtave të tyre në Maqedoninë e Veriut.

Ne e themi pa hamendje se ndryshimet kushtetuese do të kenë votën tonë vetëm nëse në kushtetutë largohet termi 20%, dhe të zëvendësohet me Gjuhën Shqipe si gjuhë zyrtare. Rruga jonë është e qartë, Lëvizja BESA edhe në të kaluarën ka mbështetur procesin integrues të vendit në strukturat euroatlantike, por edhe tani ne mbajmë qëndrim perëndimor duke mbajtur llogari edhe për të drejtat e shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë pakicë në vend, por janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut.

https://www.facebook.com/watch/?v=555467523117826&t=0

Related posts

Me LSDM-në apo BDI-në bënë marrëveshje? Ibrahimi: Me Zaevin

Gazetamax.mk

Gjuha maqedonase në Kornizën negociuese pa shpjegime shtesë, konferenca e parë ndërqeveritare pas përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë propozon Parisi

Gazetamax.mk

Rumania ofroi mbështetje psikologjike për gratë shtatzëna, përse nuk e bën këtë edhe Maqedonia e Veriut?

Gazetamax.mk