GazetaMax
Lajme

Cilësia e ulët e arsimit largon studentët jashtë vendit?

Shkup, 4 Janar – Interesimi i të rinjve në Maqedoninë e Veriut për të studiuar jashtë vendit është në rritje, pavarësisht numrit të madh të institucioneve të larta arsimore, qofshin ata publike apo private. Kjo, për shkak të, siç shprehen ata, mungesës së perspektivës dhe mundësive për të qenë të pavarur.

Dëshira për një karrierë ndërkombëtare, sigurimi i një pune dhe page më të mirë në rast se rikthehen në vendlindje, si dhe më e rëndësishmja cilësia e ulët në universitete në Maqedoninë e Veriut për shkak të nepotizmit, janë arsyet që i çojnë të rinjtë për të studiuar jashtë vendit.

Një nga ta është dhe Eranda Ajdini, studente e vitit të parë në Universitetin Groningen të Holandës, i cili është në mesin e 100 universiteteve më prestigjioze sipas listës së Shangait. Ajo thotë se gjithmonë ka qenë kureshtare për ta eksploruar jetën dhe shumëllojshmërinë e kulturave, por edhe mundësinë për të qenë e pavarur.

“Sa i përket aspektit akademik, më tërhoqi ideja e një përvoje sfiduese për të qenë e rrethuar nga studentë nga e mbarë bota. Çka përfitoja unë nga kjo? Niveli i lartë i konkurrencës ndikon tërësisht në nivelin e motivimit të njeriut. Kur bëj krahasime me përvojën që kanë miqtë e mi në Shkup, e kuptoj se universitetet e Evropës janë shumë më të vështira. Këtu zakonisht nuk jepen notat më të larta, si 9 apo 10, më të lartat janë 8 ose 7, pra kërkohet shumë dije e studim për t’ia dalë”, thotë Eranda e cila studion të Drejtën Evropiane.

Pavarësia nga buxheti familjar si motivim për të studiuar jashtë vendit

Studentja Gordana Petkovska thotë se vendimtare që ajo të studiojë për Ekonomi në Slloveni, ka qenë mundësia që ofrojnë vendet evropiane për të qenë e pavarur nga buxheti familjar, përkatësisht mundësia që të studiosh dhe njëkohësisht të punosh me një orar të përshtatshëm.

“Edhe ne Maqedoninë e Veriut ka shumë fakultete të Ekonomisë, qofshin ato publike apo private, por mua më shumë më tërhoqi ajo që ofron Fakulteti i Ekonomisë në Slloveni pasi është mundësia për të punuar njëkohësisht që studion dhe në një mënyrë arrij të pavarësohen në moshë shumë të re. Në Maqedoninë e Veriut të rinjtë gjatë studimeve as që bëhet fjalë të jetojnë të pavarur nga prindërit pasi nuk kanë mundësi edhe nëse bëjnë një punë paralelisht me studimet”, thotë Petkoska.

Studentët e rregullt, për ushqim marrin rreth 40 euro.

Por, profesoresha universitare, Maja Stevanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet e studentëve diktojnë dhe rezultatet e tyre akademike, andaj të rinjtë nga vendi tregojnë rezultate të jashtëzakonshme në vendet e zhvilluara në kundrejt rezultateve që tregojnë në vend.

“Nuk duhet plotësuar vetëm kushtet minimale, por duhet krijuar kushte për një jetë të dinjitetshme për studentët, si për procesin e studimeve, ashtu dhe për jetesën e studentëve, që këta të rinj të mund të tregojnë rezultate maksimale në jetën akademike. Jemi shumë larg plotësimit të këtyre standardeve”, thotë Stevanoviq, anëtare e Sindikatës së Pavarur Akademike, e cila mbështeti protestat e studentëve gjatë tetorit të vitit të kaluar për rritjen e standardit të studentëve.

Kthimi në vendlindje, shumë i vështirë

Sfidë më vete mbetet kthimi i të rinjve që studiojnë jashtë Maqedonisë së Veriut.

Eranda Ajdini thotë se ende është herët për të folur se ku do ta ushtrojë profesionin e saj si juriste. Megjithëkëtë thekson se vendimtare për të zgjedhur këtë drejtim, ka qenë mungesa e kuadrit në Maqedoninë e Veriut që monitoron procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Pas studimeve ndoshta do të kthehem në Maqedoni [të Veriut], pasi fundja dëshirojmë të sjellim ndryshime pozitive për shoqërinë në këtë vend. Si synim kam që të ndryshohen disa fenomene negative që i kemi në shoqëri. Por, gjithçka do të varet se çka do të marr pas studimeve bachellor”, thotë Eranda.

Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut tashmë dhjetë vjet ndan bursa në vlerë deri në 40 mijë euro për studentët, të cilët arrijnë të regjistrohen në universitete prestigjioze të botës, të cilat radhiten në 100 vendet e para sipas Listës së Shangait.

Nga Ministria e Arsimit për Radion Evropa e Lirë bëjnë të ditur se këtë mundësi për studimet bachellor në universite prestigjioze gjatë vitit akademik 2020-2021 e kanë shfrytëzuar 21 studentë, në vitin akademik 2021-2022, 29 studentë, dhe në vitin 2022-2023, 38 studentë.

Megjithatë ka dhe shumë studentë, të cilët vendosin të studiojnë jashtë vendit duke u mbështetur në buxhetin familjar.

Nga Ministria e Arsimit thonë se nuk kanë shifra të sakta se sa është numri i studentëve që brenda vitit vendosin për të studiuar jashtë vendit.

Related posts

Këshilli i Qytetit të Shkupi vendos për buxhetin për vitin 2023 

Gazetamax.mk

Kompani, hotele, aksione, hapësira tregtare, pjesë e pasurisë prej 32 milionë euro që gjykata i ka ngrirë Mijalkovit

Gazetamax.mk

Të shtëna paralajmëruese nga Jugu teksa ushtarët e Koresë së Veriut kalojnë kufirin

Gazetamax.mk