Shkup, 26 janar – Në 32 vitet e kaluara garniturat në pushtet nuk kanë ndërtuar qëndrim të qartë politik dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë për të çrrënjosur krimin e organizuar institucional dhe korrupsionin, ndërsa pushteti në tërësi është gjeneratori i kriminalizimit të shtetit. Ky vlerësim për gjendjen me korrupsionin dhe krimin është dhënë në vitin 2005 dhe nuk dallon aspak nga situata aktuale, pohon kryetari i Lidhjes Demokratike dhe deputet në Parlament, Pavle Trajanov.
Ai paralajmëroi se këto ditë duhet të mbahet seancë publike për Propozim-ligjin e tyre për themelimin e agjencisë për luftimin e formave të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, e cila siç tha ai, do të ketë autorizimet dhe kompetencat nga disa institucioneve për zbulimin dhe parandalimin krimit të organizuar në shtet. Ata propozojnë që të punësuarit, të cilët do të jenë persona të autorizuar në agjencinë, të kenë pagë rreth dy mijë euro, me të cilat të ardhura, sipas tij, do të zvogëlojnë mundësinë e korrupsionit të tyre dhe do të kenë mundësi që në mënyrë profesionale të kryejnë hulumtime për krimin dhe korrupsionin.
Agjencia, sqaron Trajanovi për MIA-n, do të ketë drejtor të emëruar nga bordi prej 15 anëtarëve nga disa fusha, në mesin e të cilëve profesorë, gazetarë, prokurorë, deputetë… Punonjësit, të cilët sipas propozimit duhet të kenë gjithsej rreth 50, do të kenë zona të veçanta. Ata gjatë punësimit duhet të kalojnë edhe test poligrafik, i cili do të vërtetonte se do të kenë qëllime të ndershme në ushtrimin e detyrës së tyre.
“Doli që institucionet e deritanishme janë të partizuara. Pra, menaxhohen nga njerëz partiakë, ata të emëruar nga partia. Ata nuk janë rezistent, nuk janë imun ndaj ndikimeve partiake, nuk janë rezistent ndaj ndikimeve të biznesit, ndaj proceseve korruptive që ndodhin në shtet. Prandaj propozojmë një agjenci të pavarur, ku drejtori do të caktojë një bord prej 12 apo 15 personash eminentë, të respektuar me integritet…”, sqaron Trajanov.
Intervistën po e transmetojmë të plotë:
Në vitin 2007 keni filluar një projekt DEKRI për dekriminalizimin e vendit, të cilin asokohe nuk e kanë pranuar Gruevski dhe Manevski, e aktualizuam në vitin 2016 dhe që atëherë çdo vit keni paralajmëruar agjencinë për të luftuar format e rënda të krimit të organizuar. dhe korrupsion të lartë. Çfarë kompetencash do të ketë agjencia, sa do të jenë më të ndryshme nga ato të MPB-së, Drejtorisë së Zbulimit Financiare, Policisë Financiare, DAP-it, ASK-së dhe AZ-së. A mund të sqaroni kompetencat kyçe të agjencisë që do të jetë zgjidhja e korrupsionit në shtet?
– Së pari, ai projekt është jashtëzakonisht i përgatitur mirë, i komponuar, janë bërë një numër i madh analizash krahasuese. Ky projekt mori mbështetje të gjerë nga vendet anëtare të BE-së, madje edhe Holanda paralajmëroi se do të mbështeste implementimin. Ky projekt iu dorëzua të gjitha shteteve në Evropë, shumë shtetete e morën atë. Pra, ky është projekt për dekriminalizimin e shtetit dhe agjenci të tilla janë formuar në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi, në Kroaci, në Angli dhe në shumë shtete të tjera. Per çfarë bëhet fjalë? Doli që institucionet ekzistuese janë të partizuara. Pra, menaxhohen nga njerëz partiakë, ata të emëruar nga partia. Ata nuk janë rezistent, nuk janë imun ndaj ndikimeve partiake, nuk janë rezistent ndaj ndikimeve të biznesit, ndaj proceseve korruptive që ndodhin në shtet. Dhe prandaj ne propozojmë agjenci të pavarur, ku drejtori do të emërojë bord prej 12 apo 15 personash eminentë, të respektuar dhe me integritet, nga profesorët, UQM, propozojmë që sektori joqeveritar të ketë përfaqësues nga media. Natyrisht do të ketë përfaqësues nga institucionet e tjera, nga KSHPK-ja, përfaqësues nga Prokuroria, nga radhët e avokatëve, edhe nga Kuvendi do të jenë dy, një nga pushteti, një nga opozita. Pra, ky bord do të ketë rolin e emërimit të drejtorit në mënyrë transparente përmes konkursit publik dhe ushtrimit të kontrollit mbi punën e këtij institucioni. Institucioni do të jetë i mbrojtur nga çdo ndikim politik dhe i jashtëm, sepse drejtori do të jetë i pavarur, do të ketë në dispozicion ose do të ketë në këtë agjenci deri në 50 persona me kompetenca të veçanta të duhura, persona të autorizuar zyrtarë, do t’i kenë të gjitha kompetencat policore, do të zgjidhet kuadri nga institucionet ekzistuese do të ulet numri i përgjithshme i të punësuarve, po ashtu do të hiqet një pjesë e buxhetit dhe këtu do të krijohet ky institucion pa pasur zgjerim plotësuese të numrit të vendeve të punës kushtimisht thënë në administratë apo për mjete të reja në buxhetin nga ato ekzistuese. Ja, si do të ishte të themi, kemi ekspertë shumë të mirë në Entin Shtetëror të Revizionit, mund të merren prej andej, sepse ai është ndoshta institucioni i vetëm që nuk punon drejtpërdrejt në zbulimin e krimit, por punon profesionalisht dhe shumë analiza të tyre tregojnë se ka mospërputhje, paligjshmëri, duke përfshirë edhe shkelje të mundshme të ligjeve. Gjithashtz ka kuadër të mirë edhe në Ministrinë, në Agjencinë e Zbulimit, supozoj në zbulimin financiar, DAP, drejtori duhet të ketë mandatin dhe mundësinë që të bëjë përbërje të tillë që do të jetë vërtet shumë profesionale dhe rezistente ndaj çdo ndikimi.
Kjo agjenci do të zbulojë krimet e rënda nga i ashtuquajturi krim i organizuar që përfshin bartës të posteve të larta dhe bartës të krimeve të tjera të organizuara ose siç themei tani në mënyrë moderne korrupsion të lartë. Do të zbulojë, do të punojë në zbulimin, dokumentimin e tyre, do të parashtrojë kallëzime penale. Aty ku do të përcaktohet ose do të detektohet pasurinë e fituar në mënyrë kriminale ose jashtë të ardhurave të bartësitë të funksionit publik, ai do të propozojë detyrimisht konfiskimin. Gjithashtu do të propozojë edhe masë që ndalon veprimin politik, në mënyrë që ai me kapitalin e madh nëse nuk i zbulohet pas disa vitesh të mos kthehet në politikë dhe të përfshihet sërish në korrupsion. Do të mund të koordinojë aktivitetet e këtyre gjashtë, shtatë institucioneve atëherë kur ka nevojë për koordinim. Tani ka fshehje të informacioneve për veten, pa pasur asnjë efekt në fund. Dhe që është gjithashtu gjë shumë e rëndësishme. Ajo se si funksionon Amerika, kur merr informacion se ka një rast konkret në ndonjë institucion që ka për detyrë zbulimin e krimit, por nuk po punohet, le të themi në dokumentimin e tij, ajo do të mund ta marrë përsipër. Ka informacione për ndonjë tender kriminal ose ku ka korrupsion, ka filluar DAP-i ose Policia Financiare dhe ka ndalur se është lajmëruar kryetari i Qeverisë ose dikush tjetër që ka thënë lëreni aty, është në interes të shtetit të mos e prekni atë.
Ky institucion do të jetë i pavarur, nëse mëson ose dikush denoncon atje, ne jemi bllokuar, na jepni atë lëndë tani, në do të punojmë. Kjo është në thelb. Duhet të paguhen mirë, të jenë rezistente ndaj çdo ndikimi të mundshëm dhe ajo duhet të punojë. Puna e institucioneve të tjera nuk do të rrezikohet, kanë ende shumë për të bërë, por këto raste të vështira ku duhet të përdoren masa të posaçme hetimore, ku duhet këmbëngulje, përkushtim i fortë, operacionalitet, njohuri, zotësi, shkathtësi për të ardhur deri te ato informacione dhe dëshmi, këtë do ta bëjë ky institucion. Mendoj se nëse vendoset kështu, do të ketë suksese siç ka sukses institucioni i tillë në Angli apo në Bosnjë, ku një institucion i tillë kishte aktivitete të mëdha. Kjo është po ashtu edhe në Serbi, në Kroaci.
Komisioni kundër korrupsionit ka një pjesë të madhe të këtyre kompetencave, a mund të marrë përsipër ai kompetencat e propozuara me transformimin e saj në agjencinë e re që e propozoni?
– Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit është i definuar me detyrë tjetër. Pra, kryesisht konflikt i interesave. Ajo tani është shumë mirë e vendosur dhe po funksionon, por nuk ka asnjë epilog. Nuk ka kompetenca policore, nuk mund të punojë në zbulim, në përdorimin e masa të posaçme hetimore dhe të mbledhë dëshmi. Dhe që është më e rëndësishmja, askush nuk vepron sipas kërkesave dhe propozimeve të tyre. Ne shkruajmë në Ligj. Kjo agjenci do të veprojë ndaj të gjitha kërkesave të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit kur bëhet fjalë për vepra të rënda penale. Dhe së dyti, ne propozojmë që përfaqësues nga KSHPK-ja të jetë në bordin, në këshillin drejtues të kësaj agjencie, të ketë ndikim të drejtpërdrejtë, që si kompetenca ligjore që ka kur zbulon një krim, të mos e bëjë atë deri në fund, sepse nuk ka mekanizma, nuk ka autoritet për këtë, do ta transferojë në këtë agjenci dhe mendoj se kjo do të funksionojë. Duhet të hapet debat edhe për Komisionin shtetëror, ai ka shumë lidhje formale juridike. Nga gjendja pronësore të ndjekë, paraqitja, më pas punësimi. Imagjinoni sa këshilltarë ka kur dorëzojnë pyetësorët, sa anëtarë të këshillave drejtues ka në shtet, sa bartës të tjerë të posteve publike, është një material i madh, i madh dhe më tregoni nga të filloj nëse nuk ka ndonjë rast që do të veçohet nga opinioni, në mënyrë që KSHPK-ja të mund të punojë sadopak në të. Por këtu do të ketë hetim operativ nga një institucion, i kualifikuar me profesionistë të kalibrit të lartë të cilët dinë dhe janë të zotët të punojnë dhe të përgatisin kallëzim penal.
Në propozim-ligjin për agjencinë, në pjesën e punësimit, ju propozoni test poligrafik për të punësuarit e ri në agjenci, një shembull i tillë është në Agjencinë e zbulimit. A mund të sqaroni me një shembull se cila pyetje do të ishte më e adekuate për t’ia parashtruar kandidatit për një vend pune që duhet të zbulojë krimin në shtet?
– Testimi i poligrafit është proces vërtet i ndërlikuar. Nga pyetjet, le të përcaktojmë një, le të themi, a është gati të manipulojë, të gënjejë, etj. Ja, për shembull do ta pyesin, nuk e di tani, “a ke llogari në bankë greke”, kushtimisht thënë. Dhe tani ai, nëse ka, do të gënjejë dhe do të kap poligrafin se gënjen, se nuk e thotë të vërtetën. Ose një pyetje tjetër, çfarëdo. Testimi duhet të vlerësojë praktikisht personin nëse është i qëndrueshëm, nëse mund të mbështeteni tek ai, nëse ai mund të jetë një operativ i mirë apo jo. Është parakusht kryesor për të ndërtuar vlerësim më të drejtël nëse është për të hyrë në agjenci apo jo. Megjithatë, testimi i poligrafit është një procedurë e ndërlikuR dhe këtë do t’ua lëmë ekspertëve ta definojnë dhe ta zbatojnë.
Ju propozoni që pagat e drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe të punësuarve me arsim të lartë në punë me kompetenca të veçanta juridkke të barazohen me pesë paga mesatare të fituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sa do të jetë paga e një punëtori të autorizuar në agjenci nëse, sipas statistikave, paga mesatare mujore e paguar neto në tetor të vitit 2022 është 33.104 denarë?
– E dini se nëse paga bruto është rreth 150 mijë denarë, një pjesë do të ndahet për kontributet që do të arkëtohen, ideja është që paga minimale të jetë rreth dy mijë euro. Pra, paga neto që do të marrin, me atë që propozojmë, të mundet për 30 për qind të rritet ose ulet. Kështu që, ata që do të jenë fillestarë do të marrin paga më të ulëta, do të kenë kohë për trajnim, e ata që janë bartës me përvojë, p.sh. drejtues i ndonjë ekipi, ai duhet të ketë pagë më të lartë. Mendoj se për këtë arsye njerëzit që do të punojnë do të studiohen, por nëse kanë paga të mira, ka garanci më të madhe se do të jenë më rezistent ndaj ndikimit.
Përvoja me të ardhurat personale nuk ka dhënë rezultate, për shembull PSP-ja kishte paga mjaft të larta?
– Prandaj them që është një nga elementët, por duhet të vlerësohet, të kontrollohet individi. Ne zgjodhëm prokuror publik pa analiza , vlerësime adekuate nga Prokuroria Themelore, që absolutisht nuk ka qenë i përfshirë në zbulimin e rasteve kaq të vështira. Duhet të jetë i përgatitur për këtë punë dhe me integritet të lartë njerëzor. Përndryshe nëse korruptohet, atëherë nuk ka asgjë. Prandaj nëse hasni në informacione për krimin e kompanive të mëdha, bëhet fjalë për miliona euro dhe shumë lehtë mund të merreni vesh që atë punë ta lini mënjanë dhe për këtë të merrni para. Ne kemi nevojë për njerëz të tillë, që të mos mendojmë fare se mund të krijojnë kapital të madh përmes informacioneve operativ, siç ishte në atë rast. Ai që dëshiron të ketë shumë para le të bëjë biznes, le të tregohet në atë fushë, le ta bëjë atë luftën atje dhe le të fitojë pavarësisht se çfarë të ardhurash do të ketë, nëse i ka të ligjshme, nëse i paguan taksat le të marrë para. Në institucionin shtetëror nuk ka vend për shumë para, përveç nëse nisemi nga logjika se profesioni më i mirë në Maqedoni është të jesh kryetar i Qeverisë dhe do të bëhesh njeriu më i pasur. Mendoj se kjo nuk duhet të vlejë për agjencinë, përkundrazi duhet të punojë për të zbuluar, dëshmuar bartës të funksioneve publike, të cilët janë të përfshirë në forma të rënda të krimit të organizuar.
Në vlerësimin e situatës në shtet dhe arsyet e miratimit të një ligji të tillë, thoni se nuk ka vullnet politik për luftë efektive kundër krimit, se nuk funksionon sistemi imunitar i shtetit, ndërsa pasoja e gjithë kësaj është erroizioni i plotë i institucioneve të shtetit. Sipas vlerësimit tuaj, a do të ketë vullnet politik nga pushteti për miratimin e këtij ligji?
– Pra, këtë vlerësim e shkrova në vitin 2005. Më thoni a ka lëvizje në drejtim pozitiv në luftën kundër krimit apo ndërkohë nëpërmjet aktiviteteve kriminale me keqpërdorim të pushtetit krijuam, si t’i them, njerëz të pasur të krimit të fituar në mënyrë të paligjshme. Ka informacione se nga ky vend janë nxjerrë miliarda euro dhe se ky është kapital i përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Dhe asnjëri prej tyre nuk jep përgjegjësi. Krimi është bërë një kategori vlerash, e jo një e keqe me të cilën duhet të përballemi. Dhe kjo është ajo që thashë, ky komb nuk mund të krijojë aq sa pushteti mund të shkatërrojë dhe grabisë. Ky eshte problemi. Pra bëhet fjalë për një oktapod, për një kriminalizim të gjerë të shtetit dhe ne nuk kemi asnjë sistem që ta ndërpresim këtë. Tani ndihma që vjen nga SHBA-ja është jashtëzakonisht e rëndësishme. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme nëse ne duam vërtet një sistem efikas që do të përballet me në mënyrë efektivite me korrupsionin dhe krimin në vend. Pa të, do të mbetemi pa shtet. Korrupsioni ngadalë por me siguri po na kafshon, po na e ha shtetin. Kjo është çështje shumë e rëndësishme se si dhe në çfarë mënyre do t[ vendosemi, nëse duam të krijojmë kushte për krijimin e vlerave të reja që të rinjtë të qëndrojnë këtu në këtë shtet.
Ju jeni pjesë e garniturës në pushtet, a keni mbështetjen e partisë më të madhe politike në pushtet?
– Është përgatitur ligji për një agjenci për të luftuar format e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Brenda pak ditësh do të kemi një debat publik, tribunë, ku do të jenë të pranishëm ekspertë të lartë, ata do të shprehin qëndrimet e tyre dhe më pas do ta dorëzoj në Parlament. Kuptohet që do të pranojmë sugjerime dhe disa zgjidhje teknike të përpunohen në mënyrë plotësuese dhe do të hapim debat në Kuvend. Dhe ata që tani angazhohen për luftën kundër korrupsionit, do të shohim se si do të votojnë, si do të prononcohen. Ka disa komente nga partia në pushtet se realisht nuk kanë besim në ato institucione, e tani mendoj se do t’i përgatisin ekspertët e partisë që të pretendojnë se kjo është jashtë Kushtetutës, se është institucion i ri, punësime të reja, shpenzime të reja. Unë e thashë se çfarë do të thotë kjo. Nuk ka shpenzime plotësuese, nuk ka zgjerim të numrit të vendeve të punës. Kështu që, do të shohim, do të jetë interesant ky debat dhe do të shohim se si do të veprojnë partitë. Ato parti që do të gjejnë vërejtje, që do të japin zgjidhje ligjore kjo do të thotë se duan t’i bëjnë obstruksione procesit dhe procedurës për miratimin e ligjit dhe formimin e institucionit të këtill[ë të fuqishëm shtetëror që do të jetë i pavarur në zbulimin e veprave të rënda penale. Ajo nuk do të ketë kurrfarë kompetencash ose pushtet, por vetëm të zbulojë kriminalitet.
A prisni nga opozita një kërkesë për sqarime të mëtejshme, duke qenë se deklaroni se në 32 vitet e fundit pushteti nuk ka ndërtuar një qëndrim të qartë politik dhe nuk ka ndërmarrë asgjë për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional dhe se qeveria në tërësi është gjeneratori i kriminalizimit të shtetit. Si do të përjashtoheni nga përgjegjësia para opozitës, që nuk keni ndërmarrë asgjë gjatë participimit me pushtetin?
– Kur unë isha në pushtet, kur isha ministër i Punëve të Brendshme paraprakisht edhe nënsekretar, gjegjësisht kur paralajmërova se në Maqedoni po shfaqen forma të krimit të organizuar, kishte sulme të fuqishme, më hoqën nga posti. Më kërkuan të dëshmojë krimin në afat prej dy javësh. U kam hapur 32 raste të krimit të rëndë të organizuar. Nuk mjaftoi kjo, më hoqën nga posti i nënsekretarit. Kur isha ministër i Brendshëm, ishte kjo në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë, ishte operacioni ushtarak i NATO-s kundër Serbisë, kundër Jugosllavisë së atëhershme, sepse ishin bashkë me Malin e Zi. Megjithatë, gjëja e parë që bëra ishte, pavarësisht informacioneve operative, gjithë ajo që ishte shkruar në mediat, angazhova një ekip që ta verifikonte ato informacione, të fillojnë të punojnë. Dhe ne, punuam në atë për aq sa lejonte koha. Dhe nëse do të kisha qëndruar deri në fund, do të kisha pastruar gjithë atë që ishte marrë si informacion. Mirëpo, problemi është se nëse je ministër i Punëve të Brendshme, të njohin si njeriu ynë dhe nuk duhet të hapësh zhvillimet aktuale që lidhen me korrupsionin dhe krimin. I hapa çështjet dhe propozova që të ndalohet tranziti i cigareve përmes Maqedonisë, respektivisht nga Maqedonia në Mal të Zi. Miratuan konkluzion në Qeverinë, MPB-ja që të mos monitorojnë transportin dhe transitin e cigareve. Të largohet prej andej, në mënyrë që Dogana, pra drejtori i Doganës dhe të gjithë ata që kanë qenë aty të punojnë lirshëm, të fitojnë shuma të mëdha parash. E kështu nuk punohet. Prandaj unë kërkoj një institucion, të pavarur, të mëvetësishëm, që nuk varet nga përcaktimi, vullneti i Pavle Trajanovit apo i kujtdo tjetër. Të punohet me përkushtim dhe do të ketë rezultate. Kështu që, problemi është se tek ne nuk angazhohet edhe verbalisht. Ministrat e qeverisë aktuale, deri dje askush nuk përmendi se ka luftë kundër krimit, se ka krim. Kur SHBA-ja paralajmëroi luftën kundër korrupsionit, e dëgjova zotin Bujar Osmani, nuk më besohet se krimi në Maqedoni ka depërtuar në çdo pore. Po ku ishit deri dje, ku është partia juaj në atë, le të themi, kriminalizim të shtetit, ju jeni 20 vjet në pushtet, nuk kanë thënë kurrë se do të luftojnë krimin. LSDM-ja nuk e përmendte korrupsionin dhe krimin dhe tani filluan të flasin për këtë.
Për mbështetje të këtij ligji, a do të tërhiqeni nga kërkesa për ligjin për një njësi zgjedhore?
– Jo. Kjo është kërkesë sistemore rreth asaj që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore. Meqë ja, sa vite, rreth 30 vjet, ndërrohen dy partitë. Ata kanë monopol mbi rregullat zgjedhore. Ata kanë zgjidhjet ligjore që favorizojnë katër parti, dy nga pushteti, dy nga opozita. Monopol i parave, i mediave. Ata kanë përparësi sistemore. Ju nuk mund të merrni pjesë në një garë, në një mijë metra, nëse kundërshtarët tuaj kanë avantazhin të nisin nga 500 metra. Kur do ta arrini në cakun? Ju do të jeni gjithmonë ndër të fundit. Ligji për një njësi zgjedhore do të mirëmbajë pasqyrën reale në shtet se cila parti politike, sa, çfarë mbështetje ka. Dhe mendoj se në këtë mënyrë më shumë deputetë, më shumë parti do të kenë ndikim në vendimmarrje. Ja, tani unë nuk kam asnjë mekanizëm për t’i kushtëzuar me votën time që të miratojnë ligjin. Por nëse janë 15 deputetë, unë do t’u them ose do të miratohet ligji ose do të bjerë qeveria. E kam fjalën për kusht[zime të tilla kur është në interes të shtetit. Përndryshe, nuk dua të bëj pazare, të bëj marrëveshje. Dua ta parashtrojn ç[shtjen në mënyrë parimore në Parlament. Do të dëgjojmë të gjitha mendimet, ka vend për përpunim plotësues të disa zgjidhjeve, por ideja kryesore është formimi i kësaj agjencie. Çështjet që lidhen me marrëdhënien e punës, me përgjegjësi disiplinore, janë marrë praktikisht nga zgjidhjet ekzistuese, mund të ndryshohen, mund të ketë edhe mangësi dhe jam gati të pranoj korrigjime. Por ideja kryesore është krijimi i një institucioni të tillë të pavarur dhe nuk kam ndërmend të bëj kompromise me askënd.