28 vjet pas betejës së lavdishme të 23 prillit ‘98 në Koshare, Xhavit Alijaj veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së kujton momentet e vështira të asaj dite ku në pusinë e organizuar nga forcat serbe ranë dëshmorë 22 luftëtarë të lirisë.
“Ne jemi futur këndej, kemi kaluar kufirin me Shqipërinë jemi futur në Kosovë. Në kthesën e parë aty afër lapidarit kanë qenë istikamet e para të ushtrisë serbe. Ishte një betejë, një fotografi e tmerrshme në kokën time kur këto degë të pishave legjendare kanë qenë të krasitura prej breshërisë së plumbave, mirëpo trimat tonë, vëllezërit tonë nuk janë dorëzua kanë marr hak dhe kanë ra në mënyrën më heroike që ekziston”, tha Xhavit Alijaj, veteran i UÇK-së.
Në 28 vjetorin e rënies së dëshmorëve, në Koshare është zbuluar murali përkujtimor me portretet e luftëtarëve të asaj beteje. Me këtë rast familjarë e bashkëluftëtarë folën me krenari për luftën dhe qëndresën e tyre heroike.
“Vëllau ka qenë edhe intelektual edhe i arsimuar edhe duke i pa rrjedhat pati thënë se nuk ka asnjë alternativë tjetër përpos rrokjes së armëve dhe si i tillë mobilizohet me të gjithë bashkëluftëtarët tjerë, pastaj ne të tjerët aq sa kemi mundur jemi angazhua por siç theksova më parë grupi në përbërje Hereqit dhe Sllupit thyen kufirin shqiptaro-shqiptar”, tha Nezir Lokaj, vëlla i dëshmorit Selman Lokaj.
Ndërkaq në nderim të jetës dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë Komplekset Memoriale në Sllup, Dujakë dhe Hereq janë bërë homazhe dhe vendosë kurora lulesh.
“Janë ditë të mbushura me ngjarje të dhimbshme të asaj kohe. Sot nderojmë në Sllup këtu në Hereq dhe në Dujakë janë mbi 20 dëshmorë, 15 martirë, disa janë ende të pagjetur. Vërtet është një ndjenjë e dhimbshme me e kujtua sakrificën dhe vuajtjet e popullit tonë, të gjitha ato ditë të vështira por edhe të krenarisë që tash në liri i nderojmë dhe bashkohemi të gjithë”, tha lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta përkujtimore në shënim e 28 vjetorit të betejës së 23 prillit OVL organizoi “Marshin përkujtimor” ku në këmbë është marshuar nga Kompleksi Memorial i Koshares deri në vendrënien e trimave të UÇK-së./rtk
