Moska i ka kërkuar Beogradit qëndrim zyrtar për informacionin se armët serbe i janë dorëzuar Ukrainës, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zakharova.
“Ne tashmë i kemi kërkuar Beogradit të bëjë një deklaratë. Deklarata të tilla nuk duhet të bëhen as përmes mediave, as përmes kanalit Telegram, as përmes rrjedhjeve të informacionit, por përmes qëndrimit të shpallur zyrtarisht të palës serbe”, tha Zaharova, transmeton TASS.
Ajo shtoi se faktet duhet të zbulohen dhe në bazë të saj të nxirren përfundimet e duhura, sepse është një “temë jashtëzakonisht e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe”.
Më herët sot, Zakharova deklaroi se Moska është thellësisht e shqetësuar për akuzat për përfshirjen e Serbisë në shitjen e armëve në Ukrainë.
“Ne po e ndjekim me vëmendje këtë histori, i kemi kushtuar vëmendje diskutimit të fundit për këtë temë në parlamentin serb. Informacioni që qarkullon sigurisht që na shkakton shqetësimin më të thellë”, ka thënë ajo në një koment të publikuar në faqen e ministrisë.
Më parë, në mediat ruse dhe kanalet Telegram u shfaqën pretendime se Serbia në mënyrë të fshehtë dërgoi 3500 raketa për sistemet raketore “Grad” në Ukrainë nëpërmjet Turqisë dhe Sllovakisë.
Portali rus “mash.ru” njoftoi së fundmi se në Ukrainë janë dorëzuar 3500 raketa 122 mm “M21” nga kompania serbe Krushik. Portali bëri të ditur se raketat janë porositur nga Krushik nga kompania kanadeze “JNJ Export Import”, dhe se arkat janë dërguar nga Serbia në Turqi, ku tranzitin e ka kryer një kompani turke, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki dhe më pas në Ukrainë.
Kompania Krushik njoftoi këtë javë se nuk është në asnjë mënyrë e lidhur me shitjen e raketave tek përdoruesi përfundimtar nga Ukraina.
Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq mohoi të hënën se Serbia eksporton armë në Ukrainë.
“Nëse kompanitë private blejnë në tregje të treta dhe u shesin kompanive në vende të tjera nuk është çështje për Serbinë, është tregti ndërkombëtare. Për ne mund të jetë një informacion interesant në aspektin informativ dhe jo detyrim ligjor apo rregullore”, tha Vuçeviq në parlamentin serb, i pyetur nga një deputet i opozitës për rastin.