Një trend i ri me hashtagun “divorci alpin” po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale si TikTok dhe Instagram, ku gra nga vende të ndryshme ndajnë përvoja traumatike, madje edhe të rrezikshme për jetën gjatë aktiviteteve në natyrë.
Termi përdoret për të përshkruar situata kur një partner – zakonisht mashkulli – e lë tjetrin vetëm në një ambient të largët dhe potencialisht të rrezikshëm, si gjatë alpinizmit apo ecjeve malore, duke e ekspozuar ndaj rrezikut.
Debati është nxitur edhe nga një rast tragjik në Austria, ku një alpinist u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia pasi la të dashurën e tij vetëm në malin Grossglockner, ku ajo humbi jetën nga ngrirja. Sipas prokurorisë, ai nuk kishte kontaktuar në kohë ekipet e shpëtimit, pavarësisht se kishte pasur sinjal.
Rasti ka hapur diskutime të gjera edhe në rrjetet sociale, ku shumë gra kanë ndarë histori të ngjashme. Një video në TikTok, ku një grua ecën e vetme në mal pasi ishte lënë nga partneri, ka arritur miliona shikime, ndërsa raste të ngjashme janë publikuar edhe në platforma të tjera.
Termi “divorci alpin” e ka origjinën nga një tregim i vitit 1893 i shkrimtarit Robert Barr, megjithëse nuk është një term zyrtar apo ligjor.
Sipas psikologes së sjelljes Jo Hemmings, fenomeni lidhet me modele të njohura të sjelljes në marrëdhënie, ku njëri partner tërhiqet emocionalisht apo fizikisht në situata stresi, në vend që të përballet me problemin.
“Atyre shpesh u mungon empatia dhe shmangin konfliktet duke u tërhequr,” thekson ajo, duke shtuar se ky model është relativisht i zakonshëm në marrëdhënie, por në kushte ekstreme si mali, mund të bëhet i rrezikshëm për jetën.
Ekspertët paralajmërojnë se, përtej trendit në rrjete sociale, fenomeni nxjerr në pah probleme reale të komunikimit dhe përgjegjësisë në marrëdhënie, sidomos kur ato zhvillohen në ambiente që kërkojnë bashkëpunim dhe kujdes të ndërsjellë.
