Ahmeti nga Shkupi: BDI nuk frikësohet dhe nuk mposhtet, mbetemi të përkushtuar për integrimin evropian
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nga tubimi qendror në Parkun e Qytetit në Shkup me rastin e 24-vjetorit të themelimit të partisë, dërgoi mesazhe të qarta drejt pushtetit, duke theksuar se BDI-ja nuk mund të frikësohet dhe as të mposhtet politikisht. Në fjalimin e tij para anëtarëve dhe simpatizantëve, Ahmeti tha se ai dhe partia që drejton mbeten të përkushtuar ndaj ndërtimit të një Maqedonie të përbashkët, demokratike dhe euroatlantike, duke theksuar se BDI-ja do të vazhdojë të punojë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Duke bërë një retrospektivë të arritjeve të shqiptarëve që nga viti 2002 e deri më sot, Ahmeti numëroi një sërë zhvillimesh që, sipas tij, mbajnë vulën e BDI-së. Ai përmendi anëtarësimin e vendit në NATO, zgjedhjen e kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit, emërimin e kryeministrit të parë shqiptar dhe procese të tjera që kanë kontribuar në avancimin e pozitës së shqiptarëve në shtet. “Gjithçka e mirë që është arritur në këto vite mban vulën e BDI-së”, tha Ahmeti, duke vlerësuar se partia e tij ka luajtur rol vendimtar në proceset më të rëndësishme politike dhe shtetformuese në vend. Lideri i integristëve theksoi gjithashtu se qëllimi i BDI-së nuk është destabilizimi i vendit, por integrimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ai u bëri thirrje udhëheqësve aktualë të nxjerrin mësime nga gabimet e ish-udhëheqësve të Jugosllavisë, të cilët, sipas tij, menduan se mund të ndërtonin shtete të qëndrueshme pa shqiptarët, por përfunduan duke i shkatërruar ato. Tubimi në Parkun e Qytetit u organizua në kuadër të shënimit të 24-vjetorit të themelimit të BDI-së, ku drejtuesit e partisë riafirmuan orientimin proevropian dhe angazhimin për vazhdimin e proceseve integruese të vendit.