Deputeti dhe anëtari i Komisionit të Burimeve Natyrore, Pirro Vengu, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, ku në ditën e dytë ishte pjesë e konferencës së organizuar nga OSBE, së bashku me anëtarë të tjerë të Komisioneve të Burimeve Natyrore nga të dy vendet.
Në fokus të kësaj tryeze ishin sfidat klimatike, mbrojtja e trashëgimisë natyrore e kulturore, si dhe nevoja për një koordinim më të fortë rajonal përballë emergjencave civile dhe zhvillimeve që prekin ekosistemet e përbashkëta.
Gjatë diskutimeve, Vengu theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë sfida të përbashkëta që kërkojnë përgjigje të koordinuara, duke veçuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në mbrojtjen e burimeve natyrore, reagimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe forcimin e sigurisë civile në rajon.
“Liqeni i Ohrit dhe i Prespës janë simboli perfekt i sfidave klimatike dhe ekonomike që na bashkojnë, por edhe i potencialit të jashtëzakonshëm që rajoni ynë ka kur vepron i bashkuar.
Në konferencën e organizuar nga OSCE me ligjvënës të Komisioneve të Burimeve Natyrore nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, diskutuam mbi nevojën për më shumë koordinim rajonal përballë ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe forcimit të qëndrueshmërisë së komuniteteve tona.
Nga Struga te Pusteci, ndajmë sfida të përbashkëta që kërkojnë përgjigje të përbashkëta.
Si aleatë në NATO dhe anëtarë të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, bashkimi i kapaciteteve për emergjencat civile, mekanizmat e reagimit dhe sigurinë rajonale mbetet thelbësor për të ardhmen europiane të vendeve tona”, shkruan Pirro Vengu në rrjetet sociale.
