Deputeti i Partisë Socialiste Pirro Vengu gjatë vizitës dy ditore në Maqedoninë e Veriut është takuar dhe me studentët e Strugës dhe Tetovës, ku u shpreh se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje etnike, por atë që ai e cilësoi si “normalitet europian”, duke mbështetur kërkesat e tyre për zhvillimin e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe. Sipas tij, mohimi apo neglizhimi i gjuhës shqipe përbën jo vetëm padrejtësi, por edhe rrezik për të ardhmen profesionale dhe sociale të të rinjve shqiptarë në vend.
“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje etnike, por një normalitet europian! Kjo është beteja e drejtë që studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po bëjnë me dinjitet, guxim dhe qytetari, duke u kthyer në një frymëzim për gjithë. Mohimi apo neglizhimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht padrejtësi, por rrezik për të ardhmen profesionale, sociale dhe njerëzore të qindra mijëra të rinjve që duan të ndërtojnë jetën në vendin e tyre. Sot, këta studentë nuk po kërkojnë privilegje etnike, por një normalitet europian! Dhe kjo kauzë meriton të dëgjohet, të mbështetet dhe të fitojë. Falemnderit për diskutimin e hapur mbi atë çfarë mund të bëjmë më shumë ne si ligjvënës për studentët dhe për gjithë shqiptarët. Mirënjohje ambasadorit tonë në Shkup për këtë organizim frymëzues”, shprehet deputeti Vengu.
Studentët në Maqedoninë e Veriut prej muajsh protestojnë për kryerjen e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe dhe mesa duket kjo çështje tashmë është kthyer dhe në politike.
