Kriminologu dhe eksperti i sigurisë, Rijad Bejtulla, përmes një analize krahasimore mbi sigurinë në Ballkan, ka nxjerrë përfundime mbi gjendjen e krimit të organizuar në rajon. Sipas tij, ndërsa shtetet fqinje po përballen me grupet kriminale, Maqedonia e Veriut ka arritur t’u japë një grusht të fuqishëm grupeve kriminale që deri dje ishin aktive.
Bejtulla thekson se situata në Shqipëri mbetet alarmante për shkak të fuqisë së grupeve kriminale, të cilat kanë nevojë urgjente për ndërhyrje radikale. Sipas tij, modeli i një institucioni të jashtëm pro-amerikan, siç është SPAK-u, ishte domosdoshmëri për të goditur strukturat e thella kriminale atje.
Nga ana tjetër, kriminologu vë në dukje sfidat e Kosovës, e cila është përballur me vështirësi të mëdha nga mafia serbe, sidomos në pjesën veriore, duke krijuar një terren të paqëndrueshëm për sigurinë kombëtare.
Në kontrast me këtë pasqyrë rajonale, Bejtulla konstaton se Maqedonia e Veriut momentalisht ka ulje të përqindjes me grupet kriminale aktive. Ai vlerëson se strategjia e ndjekur u kanë dhënë një goditje dërrmuese strukturave ilegale që tentonin të sfidonin shtetin.
”Në krahasim me shtetet rajonale, vendi ynë momentalisht është më stabili në kontestin e krimit të organizuar. Mund të konstatojmë se nuk ka më grupe kriminale aktive që kanë fuqi të sfidojnë shtetin apo të diktojnë jetën publike. Ky është një grusht i fuqishëm që u është dhënë strukturave që deri dje ishin aktive, duke e bërë Maqedoninë e Veriut një oaz sigurie në Ballkan,” shprehet Bejtulla.
Analiza përfundon me thirrjen se ky momentum i suksesit duhet të ruhet me xhelozi, për të parandaluar çdo ri-organizim të mundshëm të elementeve kriminale, duke e mbajtur vendin si oazin e vetëm të qetësisë në një rajon të trazuar.
